Njësitë speciale të Bosnje-Hercegovinës kanë vënë në pranga Elvis Kelmendin, djalin e bosit shqiptar të drogës, Naser Kelmendit me origjinë nga Peja. Ai u arrestua në Neum të Bosnjës të martën, së bashku me dy shoqëruesit e tij dhe akuzohet për trafik droge, krim të organizuar, falsifikim dokumentesh dhe plagosje.

Arrestimi i tij erdhi në kuadër të operacionit të koduar “Rez”, organizuar nga MBP-ja e kantonit të Sarajevës dhe MBP-ja e HNK-së.

Sipas njoftimeve nga mediat boshnjake, në këtë operacion janë arrestuar shtatë persona: Elvis Kelmendi 44 vjeç, Slobodan Tomanić 51 vjeç, Harun Babić 22 vjeç, Anel Sejfovic 35 vjeç, Ajlin Ahmić 38 vjeç, Amer Pehlić 38 vjeç dhe Armin Kulashević 38 vjeç.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Operacioni, në të cilin marrin pjesë njësitë speciale të MPB-së të kantoneve të Sarajevës dhe Mostar-Neretvës, është kryer nën mbikëqyrjen e Prokurorisë së Bosnjës dhe Hercegovinës, me urdhër të gjykatës shtetërore.

Në bazë të njoftimit zyrtar të policisë boshnjake: “Po kontrollohen disa objekte dhe mjete transporti me qëllim mbledhjen e provave materiale”.

Emri i Elvis Kelmendit nuk është një emër i panjohur për policinë, pasi së bashku me vëllezërit dhe babanë e tij janë përfshirë në kartelet kriminale të Meksikës dhe Amerikës Latine.

Probleme me ligjin Kelmendi ka pasur edhe më herët, ku në vitin 2010 është akuzuar për vrasje. Gjithashtu, është arrestuar në Beograd në vitin 2017 për dhunë në familje dhe armëmbajtje pa leje, pas denoncimit të ardhur nga ish- e dashura e tij. Në vitin 2019, Elvis Kelmendi u shfaq në një video-regjistrim tek kërcënonte Demë Elshanin dhe familjen e tij, me të cilët gjendej në hasmëri prej gati 21 vjetësh.

Kelmendi është shpallur disa herë në kërkim nga policia e Kosovës, madje rrezikshmëria e tij është aq e lartë sa është kërkuar ndihma e qytetarëve për çdo informacion përreth vendndodhjes së tij.

Pasuria e familjes Kelmendi është marramendëse, të cilësuar si “bosët e drogës” janë kthyer në një shqetësim real për autoritetet e policisë, jo vetëm në vendet e Ballkanit, por edhe në Amerikën Latine dhe në Meksikë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb