TIRANE- Gazetari investigativ Artan Hoxha bashkë me grupin e xhirimit të News24 ka zbuluar dy pista të përdorura nga narkotrafikantët në jug të vendit. Në News24, i ftuar në rubrikën “Opinion” gazetari Hoxha sqaroi se njëra nga pistat është një fushë në malin e Cajupit, e përdorur që në 2012-n për këtë qëllim, ndërsa tjetra në Kardhiq të Gjirokastrës.

“Xhungël sjell pamje ekskluzive nga dy pista të përdorura për avionët e narkotrafikut në jug të vendit. Menjëherë pas investigimit të Xhungël, Policia e Shtetit merr masa urgjente dhe nxjerr jashtë funksionit të dyja pistat”, shkruan ai në Facebook.

Ndërkoha Hoxha shton se këto 2 pista janë përdorur në vitet 2013-2014 nga piloti Guido Guidi i cili u ndalua pas rënies me avion në Ishëm.

“Për më tepër këto dy pista janë përdorur më parë, përgjatë viteve 2013-2014, nga piloti veteran italian Guido Andrea Guidi, i cili u rrëzua me 15 shtator 2016 ndërsa inauguronte pistën e re në Grykëderdhjen e Lumit Ishëm.

Çfarë po ndodh me pilotin italian ndërsa ai shijon i lirë ditët e qëndrimit në Shqipëri, dhe pse prokuroria nuk po kryen asnjë hetim në lidhje me këtë çështje”, shkruan Hoxha.

Në studion e News24, Hoxha tha se bashkë me grupin e xhirimit për 1 muaj e gjysmë është bërë identifikimi i 2 pistave të përdorura më parë nga Guido Guidi.

“Për gati 1 muaj e gjysmë kemi mundur të bëjmë identifikimin ku ndodhen këto pista, për çfarë janë përdorur, a i plotësojnë parametrat. Sot bëhen 46 ditë nga momenti kur Guido dhe Guidi ngecën në pistën e sajuar të Ishmit. Ai ka qenë aty për ta inauguruar këtë pistë. E mbani mend zhurmën e madhe që u bë më 15 shtator, pastaj çfarë ndodhi gjatë asaj pasditeje, në mbrëmje, shoqërimi im nga Prokuroria e Krimeve të Rënda… Ky është një nga rastet tipike kur thuhet çudia më e madhe 3 ditë zgjat. Gjithë kjo në 1 muaj e gjysmë na ka bërë që të përfshihemi. Jam thirrur 2 herë nga Prokuroria dhe edhe sot jam pa mjetet e mia të punës. Kjo gjë është bërë pengesë në punën time pasi në 2 celularët e mi kisha të gjithë numrat”, tha Hoxha. Ai gjithashtu theksoi se në celularët e sekuestruar nga policia ka informacione private. “Unë po hetoja afera korruptive të ish-drejtuesve apo drejtuesve të institucioneve të Republikës së Shqipërisë dhe informacionet gjenden në telefonat e mi”, tha Hoxha.

Gazetari Hoxha përshkroi me detaje pistën e Çajupit, aty ku sipas burimeve të tij, janë ulur avionë për t’u ngarkuar me drogë që nga viti 2012-të

“Njëra pistë është në zonën e Malit të Çajupit, mbi 120 metra lartësi. Zona ka një rrugë të asfaltuar, atje mund të shkosh me çfarëdolloj mjeti, fushë e rrethuar me male. Për të shkuar tek qafa e Çajupit, makina ngjitet dhe pastaj zbret deri aty. Kjo është pamja fiks. (Transmetohet video) Fusha është cilësisht më e mirë se ajo e sajuara në grykëderdhjen e Ishmit. Aty nuk ke valë celulari. Në krahun e djathtë të saj ka kanale kulluese, kurse pjesa tjetër është me bar natyral të paprekur, nuk është punuar më që nga kohërat e komunizmit. Pista ka gjatësi prej 1 km e gjysmë, vetëm pjesa ku ulet aeroplani është përdorur që në 2012”.

Gazetari Hoxha ka dhënë informacione të detajuara edhe për pistën e dytë të përdorur nga trafikantët në Kardhiq. Ai tha se bëhet fjalë për një rrugë, dikur e nisur për të shkurtuar distancën mes Gjirokastrës dhe Sarandës, e cila ka një gjerësi të konsiderueshme rreth 14 metra dhe me gjatësi rreth 1.5 km. Hoxha theksoi se kjo pistë është e mbrojtur nga vëzhgimi dhe nuk duket nga rruga kryesore.

“Bëhet fjalë për pistën e Kardhiqit, për trafik të lëndëve narkotike. Është një rrugë mjaft e gjerë. Është nisur për të qenë një autostradë që të lidhte Tepelenë-Gjirokastër me Sarandën, më e shkurtër. Është rrugë pa krye deri në fshatin Kardhiq. Kjo rrugë është 13-14 m e gjerë dhe gati 1.5 km e gjatë, është përdorur për uljen e avionëve të vegjël për transportin e lëndëve narkotike. Ka një pjerrësi të vogël por lugina është mbyllur, është larg nga rruga nacionale dhe me sy të lirë je i mbrojtur. Është një vend që ofron të gjitha mundësitë për uljen e avionëve edhe pa u vënë re. Të dyja këto pista janë përfolur edhe në Kuvend se janë përdorur. Ka patur raporte të SHISH dhe policisë kriminale që ky destinacion dhe tjetri janë përdorur. Grupet e narkotrafikut që kontrollojnë linjat ndërkombëtare të trafikut të kanabisit nga Shqipëria drejt vendeve të BE-së, kanë përdorur këto pista. Nga operacioni në Lazarat kanë shfrytëzuar pista të reja, siç ishte edhe ajo e Ishmit”, tha Hoxha.

Ndërsa ia shtoi se pas grupi i News24 ishte në vendngjarje, drejtuesit e policisë Gjirokastër kanë dërguar mjete bujqësore dhe e kanë bërë fushën në malin e Çajupit të papërdorshme nga avionët.
“Menjëherë pas grupi i News24 ka shkuar në këto zona, ne kemi kontaktuar edhe me drejtues të policisë dhe shërbimit inteligjent të zonës, me banorë dhe dëshmitarë, një ditë më pas ka patur një reagim të menjëhershëm. Drejtuesi i policisë së Qarkut Gjirokastër pas vënies në dijeni për ekzistencën e një piste të tillë, ka ndërhyrë dhe një ditë më pas në pistën e Çajupit është dërguar një mjet që ka hapur kanale në mënyrë që ta bënte të papërdorshëm. Nuk mund të shërbejë më për uljen e mjeteve të fluturimit”, sqaroi Hoxha.

(m.k/ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb