TIRANË

Deputetja e opozitës parlamentare Fatjona Dhimitri ka folur me tone të ashpra për maxhorancën dhe atë që ndodhi me Teatrin Kombëtar. Në seancën e sotme parlamentare Dhimitri iu drejtua ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj duke i kujtuar burrërinë, kishën dhe shtetit.

“As kafshë nuk e meritoni të thirreni sepse dhe kafsha ka një dinjitet”, tha Dhimitri. Por menjëherë pas kësaj, kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi i ka ndërprerë fjalën duke i kërkuar të tërheqë pas atë çfarë tha. “Zonja deputeti tërhiqi shprehjet e fundit. Nuk ke fjalë, tërhiqi! Të ndërpres fjalën dhe të këshilloj që herë tjetër…të kërkoj ta tërheqësh. Atëherë këtu mbyllet recitimi dhe hartimi jot. Të kishin ngelur dhe 35 sekonda por nuk i meriton”, tha Ruçi.

FJALA E DHIMITRIT
Si nuk e respektuat njëherë aktualitetin në rendin e ditës. Forca e zakonit ju shtyn të devijoni e të mos përballeni me marrëzitë e qeverisjes suaj. Doni t’ju hidhni hi syve shqiptarëve. Na sillni në Kuvend nisma në dukje për të mbrojtur e favorizuar sportistë dhe nga ana tjetër shembni tempullin e artistëve. Fali Zot se nuk dinë çfarë bëjnë. Çfarë trishtimi të shohësh ngjarjet e rezistencës së fundit të Teatrit Kombëtar, të shohësh këta cuba që vrapojnë në errësirën e natës dhe në erësirën e tyre mendore. Ishte e tmerrshme të përjetoje makthin e prishjes së tempullit të kulturës nga këta cuba siç prishnin tempujt e besimit cubat e tjerë, baballarët e tyre të diktaturës. Enver Hoxha hoqi tempujt e besimit sepse mendonte se mbi të nuk ka asnjë, Edvin Rama heq teatrin se i trembet faktit që mund të ketë diçka mbi të.

Teatri ishte, është dhe do të jetë mbi të. Artistët thanë se do të jetë varri i Edi Ramës, unë them as ashtu mos e pranoni se djalli gjen rrugë dhe del edhe vetë prej të vdekurve. I biri i tij politik, talebani i bashkisë ekzekutoi pa ngurrim vendimin për prishjen e godinës se teatrin nuk e prish dot. Aranit Çela i dytë i cili nuk ngurroi të dënonte kulturën, talebani i bashkisë njësoj pa shkollë si krimineli Aranit Çela, pa shkollë se për të dalë me shkollë bëhet falsifikues, epo cub në fund të fundit, i cili gjen kudo diçka, nuk ka rëndësi se si por mjafton veç të fshihet. O cub i madh, merre talebanin e vogël dhe përgatite për dënime në emër të popullit. Përgatit më mirë Gjykatat popullore se gjykatësin gjakpirës e ke gati. O ju të mjerë që përpëliteni sonte të justifikoni të pajustifikueshmen. Qëndroni kokulur në ato karrige se po të ngrini kokat e dini fare mirë se çfarë ju pret.

O ju të mjerë bëhuni gati se gijotina politike, ekonomike, familjare dhe shoqërore ju pret pas koke po lëvizët jashtë radhe. O ju të mjerë që nën hijen e pushtetit humbët dinjitetin, moralin e çfarë patët. Ju që shisni moral, moral e quani këtë?! Që jargaviteni pas Maks Velos sot që nuk ka zë, pse nuk i dolët në krahë kur ai kishte zë?! O ju të mjerë që shpallni shtëpi muze për gjallesa pseudointelektuale që e zhvatën këtë popull e sot nuk kanë guxim të dalin përballë. Ja pra pse bota nuk të vlerëson. Ju nuk keni kurajë të dënoni paturpësinë e pashoqe në këtë botë, ju që thoni drejtësi, drejtësi, reformë-reformë, që nuk latë televizion e gazetë për të inflacionuar këtë drejtësi e këtë reformë, ku jeni sot kur cubi i madh shkel drejtësinë me 4 këmbë, nuk po flas për cubin e vogël se ai dihet se çfarë është.

Kjo është Shqipëria mor të mjerë që për një copë bukë që ju e quani luks të jargaviteni pas një sharlatani e të lodhuri mendor. Këta jeni ju që kur flet ky cubi i madh, ju cuba të tjerë nuk belbëzoni ose kur hapni gojë nuk nxirrni gjë tjetër veç cubin e madh. Ky është Skënderbeu? Pa më thoni njëherë çfarë prishi Skënderbeu? Si nuk keni turp të krahasoni të pakrahasueshmen?! Si nuk keni turp të dilni sot dhe të shpallni moral kur mbi kokat e fëmijëve tanë janë shkelmat e atyre të paidentifikueshmëve? Pse o Sandër ia hoqe emrin vetes, aq kaq burrë nuk je sa të fshehësh emrin që ke? Ku është burrëria jote se nuk po them ligji se atë nuk e njeh askush në këtë vend.

Pse o Sandër ia vendose thundrën fëmijëve të tu? A nuk i çuan në shkollë për t’u kulturuar apo kjo është kultura juaj, dhuna? Çfarë pate me ta? Ku e ke shtyllën kurrizore që të mësuan në familje? Ku janë parimet e fesë që paraqitesh në kishë çdo të diel? Të gjithë mëkatarë jemi! Para Zotit përgjigjemi me ndërgjegje, prandaj paraqitu dhe ti Sandër para ligjit ashtu siç paraqitesh përpara Zotit. Ju të pafe, të paatdhe, të pakulturë, të pashkollë, ju që as kafshë nuk meritoni të thirreni sepse dhe kafsha e ka një dinjitet. Ju që shembët trashëgiminë kulturore…”

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb