Zenel Zeneli nga fshati Bardhosh i Prishtinës mban dy plumba të gomës në trupin e tij. Por, njëri që i shkakton probleme shëndetësore është aq afër zemrës saqë mjekët e kanë të pamundur largimin e tij.

Zeneli ishte plagosur më 10 shkurt të vitit 2007 ndërsa po merrte pjesë në protestat e organizuara nga Lëvizja Vetëvendosje. Atij i ishte dashur kohë e gjatë për shërim një pjesë të së cilit e kishte mbuluar misioni i UNMIK-u.

“Jam plagosur sa ka filluar protesta. Jam plagosur në vitin 2007 në protestën e VV. Një plumb e kam rreth zemrës dhe një e kam në këmbën e djathtë. Mjekët janë trembur se mund të lëshonte një falë lënde, sepse është plumb i gomës me metal. Është rrezik për operacion. Ne kemi dashur të kalojmë nga pjesa e qeverisë por nuk na ka lënë policia. Kanë hedhur gaz lotsjellës e kanë hedhur dhe një bozë me tym. Në ato momente kemi qenë shumë të bllokuar vetëm e kam parë se më është nxehur gjoksi. Kur e kam parë gjoksin me gjak e di çfarë ka ndodhur me mua. Sa jam larguar më kanë qëlluar dhe në këmbën e djathtë. Më pas nuk mbaj mend gjë, më kanë çuar në spital. Për 4-5 orë kam qenë në koma. Kam humbur gjak shumë. Kur jam përmendur kisha frikë të flija.
Mjeku më ka thënë që s’mund të çoj pesha, deri në 5 kg. Jetoj me bashkëshorten, tre fëmijët si dhe dy prindërit. E vështirë është, të jetosh me pjesë të huaj në trup”, tregon Zeneli.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb