Bajerni i Mynihut ka kaluar një mbrëmje të këndeshme ditën e sotme, teksa ka shpartalluar Fortuna Dyseldorfin me rezultatin e thellë 5-0. Një fitore që e lejon skuadrën bavareze të ngjitet në +10 pikë nga Borusia e Dortmundit, e cila do ta luajë nesër sfidën e saj përballë Unionit të Berlinit.

Skuadra e Flik e ka siguruar suksesin që në pjesën e parë. Serinë e golave e çeli një autorrjetë e Jorgensen, që shtyu në portën e tij gjuajtjen e Goreckës në minutën e 15-të.

14 minuta më pas, francezi Benjamin Pavard godet saktë në zonë me kokë në zhvillimet e një këndoreje, duke dyfishuar epërsinë e të zotëve të shtëpisë.

Dy minuta nga fundi i pjesës së parë, goleadori i Bundesligës, Robert Levandovski, finalizon një aksion të mrekullueshëm të Bajernit, duke bërë që Fortuna të kapitullojë pa kushte ende pa shkuar në dhomat e zhveshjes.

Bajerni e nis edhe pjesën e dytë me marshin e pestë. Në të 50-ën është sërish Levandovski që realizon nga fare pranë portës, kësaj radhe pas asistit të Gnabrit.

As 120 sekonda më pas dhe vjen goli i pestë, kur Alfonso Devis do të realizojë “manitën” bavareze pas një këmbënguljeje të gjatë në kuadratin e Dyseldorfit.

Pjesa e mbetur e sfidës nuk do të sjellë më gola, ndërsa kryesori i ndeshjes, Robert Hartman, do ta mbyllë këtë 90 minutësh pa akorduar asnjë minutë shtesë.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb