Asnjë problem për Bajernin. Fiton dhe rikthen diferencën në +4 me Borusian e Dortmundit duke vijuar të komandojë Bundesligën, tashmë në kuotën e 61 pikëve. “Viktima” e radhës e autoblindit bavarez ishte Ajntrahti i Frankfurtit, që në “Allianz Arena” gjunjëzohet me rezultatin 5-2.

Bajerni shpërthen me gola që në pjesën e parë, kur shënon dy herë, fillimisht me Goreckën në të 17-ën, që realizon një volej shumë të bukur brenda zonës, dhe në të 41-ën me Tomas Mylerin.

Fillimi i 45-minutave të dyta e sheh Bajernin të shënojë sërish, kësaj radhe me Levandovskin, që vijon marshimin e tij të çmendur drejt “Këpucës së Artë”.

Avantazhi i trefishtë sikur rehaton të besuarit e Flik dhe Ajntrahti do të përfitojë duke shënuar dy gola të shpejtë me Martin Hinteregerin në harkun e tre minutave, 52′, 55′.

Por Bajerni rifillon presionin e fortë dhe Alfonso Davis realizon në të 61-ën përpara se bavarezët ta detyrojnë Hinteregerin të shënojë në portën e tij golin e pestë të vendësve.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb