Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku ka inspektuar lotin ll të pjesës verilindore të Unazës së Madhe të Tiranës që shkon në 2.38 kilometra.

Loti është kthyer një kantier ndërtimi teksa po punohet për ta përfunduar në afatin e parashikuar dhe për të bërë të mundur lidhjen me dy lotët tjera.

Balluku pa vetë punimet në terren shoqëruar dhe nga drejtori i ARRSH, Ergys Verdho i cili e informoi.

“Loti 2 i Unazës Lindore është vazhdim i lotit 1 që vjen nga TEG-u deri tek fusha e helikopterëve në Farkë. Është 2.38 kilometra dhe shkon deri në fillim të zonës së Shkozës ku aty bashkohet me lotin 3, duke dal në rrethrrotullimin e Shkozës. Vlen për t’u theksuar që në rikualifikim ne shtuam korsinë e emergjencës, të cilin nuk e kishim në projektin fillestar, elementët e gjelbërimit të mesit dhe të dy anësoreve dhe elementët e ndriçimit led në të gjithë zonën”, bëri të ditur drejtori i ARRSH.

 

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë nënvizoi se në këtë lot, ashtu si edhe në segmente të tjera të Unazës së Madhe, kanë marrë zgjidhje edhe kërkesat e paraqitura nga Bashkia e Tiranës për t’a pasuruar projektin me elementë urbanë.

 

“Në të gjitha kantieret, të cilat kalojnë mes për mes zonave të banuara ne kemi një problematikë shumë të madhe që ka të bëjë me shpronësimet, mungesat e dokumentacionit nga ana e vetë banorëve dhe sigurisht çfarë është e rëndësishme për t’u theksuar është që të gjitha lotet e Unazës Lindore, që nga viti 2018 me kërkesë të Bashkisë së Tiranës kanë pësuar disa transformime. Kemi shtuar elementë të një zone urbane në shërbim të qytetarëve, siç është ndriçimi anësor, apo siç janë trotuaret edhe elementë të tjerë, që mund të kenë krijuar vonesa, por padyshim e bëjnë këtë vepër, si dhe lotet e tjera, shumë miqësore ndaj banorëve të zonës”, u shpreh Balluku.

 

Ministrja theksoi se pavarësisht problematikave, të cilat tashmë kanë marrë zgjidhje, është e rëndësishme që kjo vepër të përfundojë brenda afateve, pasi vendosja në funksion e saj i jep zgjidhje problematikës së trafikut të rënduar në rrugët e kryeqytetit.

 

“Për ne është shumë i rëndësishëm afati i dorëzimit. Qytetarët tashmë duhet që të marrin këtë vepër infrastrukturore dhe duhet ta përdorin atë, pasi është shumë e rëndësishme për kryeqytetin. Ne presim që në përfundim të të gjitha loteve, Tirana të lehtësohet nga trafiku i rënduar për shkak të rritjes demografike që kryeqyteti ka dhe padyshim edhe rritjes së mirëqenies dhe numrit të makinave dhe që është normale sot”, nënvizoi ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

 

Sa i takon problematikave të evidentuara në këtë lot, është miratuar kërkesa për shpronësimin e 60 pasurive, për të cilët Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka bërë dhe njoftimin e pronarëve. Gjatë zbatimit të projektit kanë dalë disa problematika, të cilat janë shqyrtuar nga Këshilli Teknik i ARRSH-së dhe në ditët në vijim pritet të merret vendimi mbi zgjidhjet e propozuara.


(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb