Turpërimi që i shkaktoi Eintracht Frankfurt pati një efekt domino mbi të ardhmen e Niko Kovac. Trajneri kroat dhe klubi bavarez zgjidhën në orët e vona të së dielës kontratën me mirëkuptim, një “divorc” i pashmangshëm duke parë situatën që ishte krijuar në Mynih: “Mendoj që ky ishte vendimi i duhur për mua dhe klubin në këtë moment. Mënyra se si kemi luajtur së fundmi si dhe rezultatet më çuan në këtë vendim”, u shpreh menjëherë Niko Kovac.
Në pritje për të zyrtarizuar trajnerin e ri, Bayern do të drejtohet në dy ndeshjet e ardhshme nga zëvendës trajneri Hansi Flick. Stoli i Bayern është një sfidë e madhe për çdo trajner, mediat gjermane dhe jo vetëm kanë nisur aludimet se kush do të jetë pasuesi i Niko Kovac.
Menjëherë në media qarkulloi emri i parë, Masimilano Allegrit, ish trajneri i Juventusit, fundja është i papunë dhe në kërkim të një aventure të re jashtë Italisë. “Corriere dello Sport”, ka hedhur poshtë këtë opsion duke saktësuar se Allegri nuk dëshiron të marrë drejtimin e një ekipi në këtë pikë të sezonit, do të qëndroj në pritje deri në janar.
Sipas “Sky Sport” gjerman, drejtuesit e klubit preferojnë Erik Ten Hag, aktualisht trajneri i Ajax. Ten Hag e njeh mirë ambientin gjerman, njeh gjuhën por gjithashtu është dhe opsioni më i vështirë. Ten Hag është nën kontratë me Ajax, vështirë se mund të largohet nga “shigjetarët” përpara përfundimit të sezonit.
Një tjetër emër që është lakuar prej kohës është edhe ai i Mauricio Pochetinos, e njëjta situatë dhe për argjentinasin, është nën kontratë me Tottenham.
Opsioni i fundit por jo më pak i rëndësishëm është dhe Jose Mourinho. Speciali prej kohësh është në kërkim të një ekipi të ri, simpatia për Bayern nuk i mungon, ka nisur të mësoj gjuhën, por në këtë momente kur duhet të ishte opsioni i parë, në garë është futur dhe Arsenal. Emrat janë të shumtë por gjithçka pritet të vendoset pas sfidës kundër Dortmund, pauza që do të sjell grumbullimi i kombëtarëve i jep më shumë kohë për të bërë zgjedhjen e duhur.
(BalkanWeb)