Brazili kampion i Kupës së Amerikës pas plot 12 vitesh! Skuadra e Tites ka mposhtur me rezultatin 3-1 Perunë në finale duke fituar trofeun e 9-të në historinë e këtij kompeticioni.

Edhe pse pritej një përballje e lehtë në letër, kombëtarja “Seleçao” ka vuajtur jo pak në këtë sfidë. Ishte talenti i Gremios, Everton, që në minutën e 15-të hap serinë e golave. Ndërkohë në minutën e 44-të, miqtë peruanë i surprizojnë të gjithë, duke vendosur baraspeshën nga pika e bardhë e penalltisë, me anë të Guerreros.

Me golin e shënuar, sulmuesi i “dogji” rekordin për fitimin e trofeut pa pësuar asnjë gol të vetëm në të gjithë kompeticionin. Vetëm 4 minuta zgjati festa e Perusë, pasi në minutën e 45+3, Gabriel Zhezus, kaloi sërish në avantazh Brazilin. Pjesa e parë u mbyll me triumfin 2-1 të vendasve.

Në pjesën e dytë, gjërat u vështirësuan për kombëtaren karioka, pasi në minutën e 70-të, Gabriel Zhezus u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë duke lënë skuadrën me 10 lojtarë për afro 20 minuta. Për golin e sigurisë mendoi futbollisti i Evertonit, Riçarlison, i cili në minutën e 90-të, vulosi shifrat 3-1 nga pika e bardhë e penalltisë.

Panoramasport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb