Dy familje azilantësh në Achen të Gjermanisë denoncojnë në emisionin “STOP” një problem me ambasadën shqiptare në Berlin. Ata janë në procedura rikthimi në atdhe, por kanë lindur fëmijë në Gjermani e duhet të aplikojnë për të legalizuar certifikatat e fëmijëve, në mënyrë, që të mund të kalojnë kufirin. Matilda Boduri dhe Edmond Leka thonë, se kanë aplikuar 2 herë para 6 muajsh, por në ambasadë u thonë, që dokumentat janë dërguar në postën gjermane. Në këtë mënyrë, stafi ynë diplomatik kërkon, që të përsëritet aplikimi, edhe pse kjo kushton para e kohë.

“Jemi drejtuar emisionit “STOP” për arsyen se ne jemi prindër të një fëmije, që aktualisht është 9 – muajsh dhe po na sorollat ambasada këtu në Berlin. Herën e parë kemi kërkuar dokumentin në ambasadë. Na është dashur të bëjmë dy përpjekje, që ata ta nisin. Ata dërgojnë dokumentacionin, na thonë që jepni një numër telefoni, një email, paguaj faturën, e cila është 30 euro dhe e dërgojmë. Nuk na marrin në telefon, që të thonë që ky dokument i duhet kjo apo kjo gjë. E nisim herën e dytë dhe na duhet përpjekje tre mujore, që ata të bëhen të gjallë dhe ta nisin sërish këtë dokument. Thonë që e kemi nisur, por e ka fajin posta dhe nuk mbajmë përgjegjësi për çfarë ndodh pasi ne e nisim. Por kush është funksioni i ambasadës? Unë jam një shtetase e huaj, azilante. Për dy javë unë duhet të lë Gjermaninë, ku ta gjej të drejtën e fëmijës tim? Duhet të regjistroj fëmijën në gjendjen civile në Shqipëri dhe më e rëndësishmja është që duhet ta nxjerr në kufi, në doganë. Kam nisur certifikatën, u bë një vit që djali ka lindur këtu. Kam nisur certifikatën në ambasadën shqiptare në Berlin dhe e para humbi. Ne pa vulën e amasadës së Berlinit nuk mund të na e regjistrojnë fëmijën në Shqipëri.”

Në linjë telefonike me një përfaqësuese të ambasadës shqiptare në Berlin, denoncuesi kërkon një zgjidhje për problemin e tij, por ambasada i thotë, që të nisë dokumentacionet nga e para.

Denoncuesi–
Kam nisur një certifikatë të çunit dhe ka 3 muaj nuk më jepet asnjë lloj përgjigje. Çfarë mund të bëhet me këtë certifikatë?

Ambasada– 3 muaj nuk ka kuptim, sepse ne nuk kemi dokumenta të 3 muajve këtu. Ne kemi vetëm të muajit tetor dhe nëntor, pra interesohuni në postë.

Denoncuesi– Unë kam ikur te posta dhe posta nuk më jep asnjë lloj përgjigje mua. Posta më thotë: nuk më kanë nisur asnjë lloj dokumenti.

Ambasada– Dërgojeni edhe njëherë nga e para.

Denoncuesi– Po si mund ta sjell? Është e dyta herë që e sjell. Nga i gjej unë lekët? Në rrugë? Çfarë të bëj unë?

Ambasada– Po çfarë kodi, për sa kohë ju e keni pa rekomandim nuk ka kod zarfi.

Denoncuesi– E kam dhënë me rekomandim, se unë i kam të gjitha letrat e postës… Si nuk qenka me rekomandim ajo? Unë e kam bërë zarfin, që të bie në dorë dhe të më kthehet në dorë.

Ambasada– Prap ju jeni?

Denoncuesi– Po prap ne jemi. Ju kemi marrë disa herë në telefon për të njejtin problem, sepse mua shteti gjerman më detyron, që të kthehem në Shqipëri me patjetër.

Ambasada– Po certifikata juaj është protokolluar dhe është dërguar me postë.

Denoncuesi– Unë tek posta kam vajtur jam interesuar dhe më thanë, që në emrin tuaj nuk ka ardhur asnjë zarf.

Ambasada– Ok, silli edhe njëherë nga e para dokumentat.

Denoncuesi– Nga e para nuk mund ta nis, sepse ka shumë procedura të gjata, ha shumë kohë dhe ka shumë shpenzim.

Ambasada– Ose do ta dërgoni dokumentin nga e para, sepse nuk kemi zgjidhje tjetër, nuk është më në kompetencën tonë. Në momentin që del nga zyra jonë, është në kompetencën e postës dhe ne nuk përgjigjemi.

Denoncuesi– Atëherë më jepni kopjen e zarfit, që ta verifikoj.

Ambasada– Nuk kemi kopje zarfi.

Denoncuesi
– Po atëherë si funksionon?

Ambasada –
Kështu siç të thashë unë. Ne nuk jemi më përgjegjës.

Denoncuesi –
Po kush është përgjegjës?

Ambasada – Nuk e di zotëri. Drejtohu ku të duash.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb