*Pas publikimit te videos nga BalkanWeb, ish-bashkeshorti arrestohet nga policia
*Detaje/Gruaja e divorcuar prej 3 vitesh nga autori

VLORË-Një burrë rreh me shkelma e grushta një grua, ndersa ajo shtrëngon në duar fëmijët e saj. Këto pamje tronditese po bëjnë xhiron ne internet, ndërsa burri emërtohet ‘kafshë’ dhe episodi, ‘kafshëri’. Ngjarja është shënuar sot në Vlorë, tek Bregu ose sic njihet ndryshe zona e Lumit te Vlorës, ndërsa thuhet se burri është i shoqi i gruas, në këtë rast viktimë e skenës së dhunës. Notat dramatike i shton fakti se në krahët e gruas ndodhet një foshnje qe nuk resht së qari, ndërsa një vajzë 4-vjecare ulërin me britma. U desh që burrin e nervozuar ta marrë për krahu një bashkëqytetar tjetër dhe ta largojë nga vendi i ngjarjes.
Video është hedhur në rrjete sociale nga Oltion Bardhi Photograph.
[fbvideo link=”https://www.facebook.com/oltion.bardhi/videos/10206963307221781/” width=”500″ height=”400″ onlyvideo=”1″]

Miq të faqes së këtij rrjeti social, i sugjerojnë mikut të tyre që video të dërgohet në komisariatin e policisë dhe personi dhunues të denoncohet dhe të marrë dënimin. Shumë shprehen të prekur nga pamjet dhe nuk arrijnë të besojnë se mund të ekzistojnë realisht bashkëshortë të tillë.
” Realiteti i dhier shqipetar….e dhimbshme por e vertet…a meriton te quhet baba ky ? A meriton te quhet njeri?? Cdo dite e me shum me vjen tja fus vrapit e te zhdukem nga ky vend ku edhe te denoncosh nuk pi uje fare…e sa mund te ket te tjera si kjo qe nuk bejn ze nuk degjohen se e dine qe askush sju zgjidh asgje”, shkruan nje qytetar.

“Kurre mos befsh piken e hajrit po jeta tregon qe ju lloj tipash perfundoni si qener neper rruge ??? me vjen shume keq qe ne vendin tone femrat jane kaq te pambrojtura nga kto lloj mostrash”, thkeson nje tjeter.

“Femra nuk preket me dore nuk eshte e mire ndaje por ta rrahesh eshte krim dhe ne prani te femijeve ai eshte i semure jo normal”, shpreh mendimin dikush tjeter, i prekur nga ngjarja.

Detaje, gruaja e divorcuar prej 3 vitesh nga dhunuesi
Pas videos që u bë publike, menjëherë ka reaguar policia e Vlorës. Mësohet se shtetasi që rreh gruan në rrugë, quhet Ilir Paja ndërsa shtetasja e dhunuar, M.C. Gruaja është marrë në pyetje nga policia menjëherë pas publikimit të videos. Mësohet se çifti kishin 3 vite të divorcuar, por pavarësisht kësaj, Paja duket se nuk ka hequr dorë nga ish-gruaja.

Në çastet kur ka ndodhur ngjarja e rrahjes, zonja ndodhej në treg bashkë me dy fëmijët nga fëmijët e saj, pasi realisht ka 3 fëmijë. Ajo po kthehej në shtëpi, por në ato momente përballet me ish-bashkëshortin, i cili pas një debati nuk ka kursyer grushtet ndaj saj.
Ilir Paja ndërkaq është shoqëruar dhe me pas arrestuar nga Policia e Vlorës.

Dhuna në familje, femrat viktima dhe opinioni sehirxhi 
Dhuna e vazhdueshme në familje shpesh herë ka rezultuar me viktima. Lajmet e kronikës së zezë, numërojnë femrat si viktima, ndërsa bashkëshortët si autorë, dhe fëmijë të dëmtuar psikologjikisht që mbeten jetimë dhe enden dyerve të Shtëpive të Fëmijës. Edhe në raste divorci, megjithë urdhrin e mbrojtjes, gratë shpesh herë kanë rezultuar të rrahura ose të vrara nga ish-burrat e tyre. Sot kjo video është një apel i qartë për Reagim, jo vetëm për institucionet ligjzbatuese, por dhe për opinionin. Burra sehirxhinj që shohin sesi një i gjinisë së tyre rreh një femër, shton alarmin për shoqërinë shqiptare që po bëhet shurdhe ndaj këtyre fenomeneve. Ky moment teksa rrihet një grua që ndodh, pak metra larg qendrës së Vlorës, mes syve të dhjetra kureshtarëve që nuk ngrenë as gishtin ndaj një agresori, është dëshmi e gjallë e indiferentizmit që ka pushtuar shoqërinë shqiptare, që nuk e zgjojnë as të qarat e fëmijëve të mitur. Fëmijë që kushedi sa herë e kanë parë me sytë e tyre këtë skenë mes nënës dhe babait, të divorcuar sot, tash e 3 vjet, për shkak të dhunës në familje. Dhunë që sot në Shqipëri numëron dhjetra e dhjetra gra të vrara nga burrat. (Shenim nga Redaksia)

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: