Bylisi është skuadra e fundit e kualifikuar për në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë, teksa ka arritur të eliminojë Skënderbeun në një përballje e cila do të përflitet shumë për episodet që prodhoi.

Korçarët kaluan të parët në epërsi me anë të Mensah, i cili realizoi në minutën e 34-ët, një gol që iu dedikua të riut Meksi, i cili u dëmtua rëndë pikërisht në sfidën e fundit të luajtur ndaj Bylisit.

Minuta e 43-të do të sjellë një rrëmujë të madhe dhe shkak është kryesori Jorgji, që fillimisht akordon një penallti të paqenë për Bylisin, më pas e anulon atë pas ndërhyrjes së kufje të eprorëve të tij duke krijuar një rast të paprecedent në futbollin tonë, pasi siç dihet në kampionatin shqiptar nuk është futur sistemi VAR.

Rikthimi i vendimit bëri që tensioni të kalojë në anën tjetër me lojtarët e Bylisit që protestjnë dhe prej ku nis një zënkë me zv/trajnerin korçar, Gentian Liçi, i cili ndëshkohet me karton të kuq.

Bylisi luan më mirë në pjesën e dytë dhe i afrohet në disa momente golit për të mbërritur në çastin kulmor. Minuta e 76-të dhe Malçi shtyn në rrjetë topin e Mëllugjës, duke realizuar golin që flen biletën gjysmëfinale për mallakastriotët, pasi takimi do të mbyllet me rezultatin 1-1 dhe Bylisi kalon më tej falë fitores 1-0 në ndeshjen e parë.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb