Nga zonja Katerina
Përbërësit

1 pulë fshati
500 gr oriz
7-9 qepë të thata
3-4 petë të përgatitura vetë ose 1 pako peta të gatshme
Vaj ulliri
Kripë, piper
1.200 ml ujë ose lëng pule

Pergatitja

Grijmë qepët hollë dhe i kaurdisim në tenxhere fillimisht pa vaj, por duke shtuar 1-2 lugë ujë. Sapo qepa të fillojë të zbutet dhe të marrë ngjyrë ari shtojmë 3-4 lugë vaj ulliri dhe më pas racionet e pulës. Shtojmë pak kripë dhe piper të grirë në moment. E kaurdisim mishin e pulës derisa të ndryshojë ngjyrë dhe më pas shtojmë lëngun e pulës të ngrohtë dhe e lemë të ziejë në temperaturë mesatare për rreth 35-40 minuta.

Largojmë racionet e pulës dhe shtojmë tek qepa orizin e larë dhe të kulluar së bashku me një filxhan ujë. E lemë orizin të ziejë për 10 minuta sa të përthithen lëngjet dhe më pas e trazojmë sa të ulet pak temperatura.

Ndërkohë pastrojmë mishin nga kockat dhe e ndajmë në copëza të vogla.

Lyejmë një tavë me pak vaj dhe vendosim petën e parë duke lenë një pjesë të petës jashtë nga njëra anë e tavës. E spërkasim petën me pak vaj dhe më pas vendosim petën e dytë duke lenë përsëri një pjesë jashtë nga ana tjetër e tavës. E spërkasim dhe petën e dytë me vaj dhe në qendër të tavës vendosim petën e tretë. Tek orizi i kaurdisur me qepë shtojmë mishin e pulës, rregullojmë shijen me kripë dhe piper, e trazojmë mirë mbushjen dhe e shtrojmë duke e hapur mirë mbi petët e byrekut. E spërkasim mbushjen me lëng pule dhe e mbulojmë me petët anësore që kemi lenë jashtë tavës. E spërkasim në fund sipërfaqen e byrekut me pak vaj dhe ujë dhe e vendosim në furrë të nxehtë (të parangorhur në 200 gradë) të piqet në temperaturën 170-180 gradë për rreth 40 minuta. Më pas hapim furrën dhe e lemë dhe 10 minuta të tjera. E nxjerrim byrekun nga furra, e spërkasim me pak ujë dhe e mbulojmë me një pecetë kuzhine.

(Vila24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: