Një ceremoni përkujtimore në nderim të 100-vjetorit të Institutit “Harry Fultz” dhe partneritetit SHBA-Shqipëri ka bërë bashkë figura të rëndësishme që kanë kontribuar ndër vite, ambasadorë, ministra dhe biznesmenë të suksesshëm. Ambasadorja e SHBA Yuri Kim u shpreh se Harry Fultz dhe marrëdhëniet diplomatike hodhën themelet e një lidhje unike mes SHBA dhe Shqipërisë, që vazhdoi dhe sot është më e fortë se kurrë.

“Kjo shkollë ishte ndër investimet e para të SHBA-së në Shqipëri. Nuk kishte të bënte vetëm me mësimdhënien e aftësive teknike dhe profesionale, por kishte të bënte me rrënjosjen tek të rinjtë të disiplinës dhe të respektit për punën që do t’u nevojitej për të ndërtuar një vend të ri. Të gjithë të pranishmit kanë ndihmuar në ndërtimin e marrëdhënieve mes SHBA dhe Shqipërisë, është një marrëdhënie e pathyeshme dhe SHBA është krenare që është miku juaj”, tha ambasadorja amerikane.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi vlerësoi shkollën “Harry Fultz”, për cilësi të lartë dhe kontribut të çmuar në arsimin shqiptar.

I pranishëm kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj u shpreh se është moment feste por edhe reflektimi, për të ruajtur shkollat me fanatizëm, si hapësira që na bëjnë më të mirë dhe na hapin mendjen.

Gjatë tërë aktivitetit të saj motoja e kësaj shkolle ishte “Të mësojmë duke punuar”. Ky institucion nuk ishte thjesht arsimor dhe shkollë profesionale, por njëherësh edhe një vatër e edukimit kombëtar, e emancipimit shoqëror dhe një qendër promotore e zhvillimit bujqësor dhe industrial të Shqipërisë ndër vite.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb