Deputetja kosovare, Vlora Dumoshi, nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) i ka quajtur mashtrues deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe kryeministrin e vendit, Albin Kurtin.

Dumoshi gjatë fjalës së saj në Kuvendin e Kosovës kritikoi pozitën për nënshkrimin e Marrëveshjes për Energjinë në mes dy shteteve, Kosovë-Serbi.

Ajo i pyeti nëse ndihen të turpëruar pas arritjes së marrëveshjes, duke ju thënë se qeverisjet e kaluara për këto marrëveshje i kanë shpallë tradhtarë.

“Për kryeministrin më erdhi shumë keq, pas tërë atyre përpjekjeve vite e vite, u dorëzuat. Keni nënshkru një marrëveshje për të cilën të tjerët i shpallnit tradhtar. Do t’ju pyesja si po ju duket ju të gjithë vetja sot? Unë nuk po ju them tradhtar se është fjalë e papërgjegjshme as me vezë nuk po ju gjuaj, siç vepruat ju. Por po ju quaj mashtrues e po ju pyes a turpëroheni? A jeni operu prej turpit?  Por ju çdo ditë po na e forconi bindjen që jeni shpifsa e mashtrues”, ka thënë Dumoshi.

Deputetja e LDK-së, Dumoshi, gjithashtu iu drejtua ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, duke i thënë se ajo kur e kundërshtonte këtë marrëveshje, “roli i saj ka qenë të gjuajë me vezë”.

“Të kisha pyet dhe ty, po ti e ke pas rolin me gjuajt me vezë. Po ta dhuroj një vezë, e drejtoja kryeministrit tënd mashtrues sepse tradhtarët e djeshëm që ju i quajtët dolën ‘faqebardhë’”, ka thënë ndër të tjera, deputetja Vlora Dumoshi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb