Drejtorin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile Haki Çako ka qenë sot në Jug të vendit për të parë nga afër situatën me lumin e Vjosës, i cili ka dalë nga shtrati gjatë natës dhe ka përmbytur toka dhe disa banesa. Çako tha se nuk ka asnjë rrezik për banorët dhe se situata është nën monitorim, ndërkohë që të gjitha kapacitetet janë në gatishmëri.

Ai tha se është punuar gjatë natës dhe është izoluar një argjinaturë e çarë që mund të rrezikonte zonën.

“Ajo që është më e rëndësishme është kapja e niveleve maksimale nga lumi Vjosa. Jemi në gatishmëri të gjitha strukturat. Aktualisht niveli i ujërave ndonëse ka kapur nivelin maksimal, nuk kemi përmbytje masive. Në Ferras ka prezencë uji, janë evakuuar 3 familje. Aktualisht po vijon procesi i evakuimit. Janë vënë në dispozicion të gjitha kapacitetet e strukturave lokale dhe qendrore. Nuk ka asnjë rrezik për banorët. Pritet një intensitet në rënie e prurjeve të Vjosës, çka reflektohet me nivelin që po bie në Memaliaj, ku përqendrohen prurjet e Vjosës dhe Drinos. Po kështu edhe në pjesën e bashkisë dhe qarkut të Vlorës, në krahun e Mifolit nuk paraqiten probleme. Është punuar intensivisht gjatë gjithë natës, është izoluar dhe është mbyllur një çarje e argjinaturës e cila sillte probleme serioze për të gjithë zonën e Novoselës dhe të Mifolit”, tha Çako.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb