Skuadra e Teutës është gjysmëfinalistja e parë e Kupës së Shqipërisë në futboll. Pasi fituan 1-0 në Korçë ndaj Skënderbeut, me gol të Rubin Hebajt, durrsakët kanë bërë të njëjtën gjë edhe 2 javë më pas, duke fituar po 1-0, po me gol të Hebajt, me ndryshimin që sfida u zhvillua në “Elbasan Arena”.

Goli i vetëm u shënua herët, që në minutën e tetë. Gjyqtari Ziri vërshëllen penallti për një kontakt në zonë, ku Zguro mban nga fanella Qaqin pas zhvillimit të një goditje dënimi. Protesta të korçarëve, por Ziri pret edhe VAR dhe pastaj konfirmon gjithçka, teksa i nxjerr edhe të verdhin Zguros.

Nga pika e bardhë është Rubin Hebaj që ekzekuton saktë. Edhe pse kishte minuta të tëra dhe Skënderbeu bëri të pamundurën të përmbyste ndeshjen, nuk ndodhi. Kështu, Teuta lë pas humbjen e thellë në kampionat me Partizanin dhe shkon në gjysmëfinale të Kupës, ku do të mësojë rivalin me short.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb