Deputeti demokrat, Agron Shehaj, ka bërë një denoncim të fortë nga foltorja e Kuvendit, teksa ka deklaruar se kompania “Alb Star” ka marrë statusin e investitorit strategjik për të fshehur gjurmët e ish-ministrit Damian Gjiknuri.

Nga foltorja e Kuvendit, deputeti Shehaj sqaroi se çfarë e lidh, sipas tij, kompaninë “Alb Star” me Damian Gjiknurin, ndërsa deklaroi se “Sipas të dhënave zyrtare nga thesari i shtetit, nga viti 2014 deri me sot, shoqëria Albastar ka qenë një nga kontraktorët më të mëdhenj të qeverisë shqiptare duke marrë pothuajse 100 milionë euro pagesa për tendera publikë, kryesisht ne infrastrukture”.

Fjala e plotë:

Kam kërkuar këtë interpelancë me ministren e Turizmit për një çështje shumë të rëndësishme, që ka të bëjë me zvogëlimin e parkut të Butrintit si një nga pasuritë më të mëdha natyrore dhe arkeologjike të Shqipërisë.

Provat dhe faktet e denoncuara publikisht nga media, por edhe dokumentat zyrtarë, hedhin dyshime të forta se arsyeja kryesore për zvogëlimin e zonave të mbrojtura, janë interesat private ekonomike të njerëzve me pushtet ose klientëve të lidhur me qeverinë.

Ky që kam në dorë është një vendim i Këshillit Kombëtar të Territorit, i cili mban datën 10 qershor 2021. Citoj tekstualisht vendimin:

Këshilli Kombëtar i Territorit vendosi miratimin me kusht të lejes së ndërtimit për objektin resort turistik me 2, 3 dhe 4 kate me parkime nën tokë, me vendodhje në Bashkinë Sarandë dhe me subjekt zhvillues shoqëritë Albstar shpk dhe Andi shpk.

Vendndodhja eshte ne Sarande dhe me saktesisht eshte pjeserisht ne parkun e Butrintit.

Tani që ta kuptojnë edhe qytetarët, bëhet fjalë për projektin Manastir Resort, i cili do të ndërtohet në Parkun e Butrintit, qe ne fakt tani duhet thene ne “ish parkun e Butrintit” sepse pasi Rama dha lejen e ndertimit ne nje toke brenda Parkut te Butrintit, nje vite me vone po prap me firmen e tij, Rama e zvogeloi Parkun e Butrintit per te nxjerre jashte parkut token ku do te ndertohet resorti.

Nuk e përmenda pa qëllim lejen e parë të ndërtimit. Sepse ajo fakton qartë se kush qëndron me të vërtetë pas resortit në Butrint.

Është kompania Albstar dhe kompania ANDI shpk. Kjo e dyta zotërohet Andi Gjiknuri, i afërm i ish ministrit të Infrastrukturës Damian Gjiknuri.

Pra, ashtu si në rastin e ministres së Jashtme edhe këtu kemi përfshijen e pushtetarëve dhe njerëzve të afërt të tyre në projekte strategjike, që marrin favore nga shteti.

Dhe rastet janë identike. Edhe këtë herë, ashtu si në rastin e zonjës Xhacka, është tentuar po e njëjta skemë për të fshehur përfituesit realë.

Në 2 dhjetor të vitit 2021, Komiteti i Investimeve Strategjike ka miratuar statusin e investimit strategjik procedurë e asistuar për projektin Manastir Resort. Por me djallëzi, në vendim, statusin e investitorit strategjik e përfiton vetëm subjekti Albstar.

Pra resortin e kanë të dyja kompanitë, gjysmë për gjysmë.

Kjo eshte leja e ndertimit ku eshte kompania e te afermeve te Gjiknurit.

Ky eshte ekstrakti i kompanise Manastir Resort Shpk ku jane te dy ortak me 50% secili.

Dhe ne fakt Resorti merr statusin e investimit strategjik dhe Resorti merr të gjitha përfitimet që rrjedhin nga ky status.

Por formalisht statusin e investitorit strategjik ja japin vetëm Albstarit për të fshehur gjurmët.

Madje në prill të këtij viti, KKT ka bërë dhe ndryshimin e lejes duke hequr emrin e ANDI shpk nga leja dhe duke lënë aty vetëm ALBSTAR.

Eshte fiks si rasti i resortit të Olta Xhackes, njëherë e përfitoi kompania e bashkëshortit statusin, pastaj e ndryshuan vendimin dhe vunë si subjekt përfitues kompaninë e kunatës së ministres. Është identik e njëjta skemë.

Pra i gjithë shteti përfshihet në makinacione për të fshehur një rast flagrant perdorimi te pushtetit per tu pasuruar.

Kjo është kompania manastir resort, e cila do të ndërtojë dhe shfrytëzojë resortin në Butrint. Ja kush jane pronarët e saj. Albstar me 50 për qind të kuotave dhe ANDI me 50 për qindëshin tjetër.

Kjo provon qartesisht perfshirjen e te afermeve te Gjiknurit ne resortin ne Butrint dhe tentativen e qeverise per ta fshehur.

Kalojme tek elementi i dyte i kesaj afere, qe sipas meje jo vetem eshte edhe me i rende por eshte i paimagjinueshem.

Ky partneritet mes Alb Star dhe te afermeve te Gjiknurit eshte i rastësishem.

Cfare e lidh Albstarin me Gjiknurin?

Sipas të dhënave zyrtare nga thesari i shtetit, nga viti 2014 deri me sot, shoqëria Albastar ka qenë një nga kontraktorët më të mëdhenj të qeverisë shqiptare duke marrë pothuajse 100 milionë euro pagesa për tendera publikë, kryesisht ne infrastrukture.

Pjesa dërrmuese e tyre kanë ardhur nga agjencitë nën varësi të ministrisë së infrastrukturës, si autoriteti rrugor shqiptar apo dhe të tjera.

Për kujtesë nga 2017 ne 2018 Ministria e Infrastrukturës është drejtuar nga zoti Damian Gjiknuri.

Ky dokument që kam në dorë është shpallja e kontrates per ndertimin e rruges Kardhiq – Delvine, Loti 5” . Ky tender prej 16 mln euro është marrë nga kompania Albstar në vitin 2018 kur minister ka qene vete Gjiknuri. Sikurse mund ta imagjinoni vete, Kompania ortake e te afermeve te Gjiknurit ka qene i vetmi ofertues dhe e ka fituar tenderin me 99 % te fondit limit.

Pra Albstar, një nga kompanitë që ka marrë qindra miliona euro tendera, edhe nga agjenci ne varesi te ish ministrit Damian Gjinkurit tani na hyn në ortakëri me kushërinjtë e zotit Gjiknuri për të ndërtuar një resort 28 milionë euro në Parkun e Butrintit.

A eshte normale kjo?

Nga nje ane si minister Gjiknuri i jep tendera publike kompanise Albstar, nga ana tjeter kusherinjte e tij i ben ortak te tyre, dhe te dy bashke i ben investitor strategjik???

Jo vetem kaq, por heq edhe token nga Parku Kombetar i Butrintit qe ata te kene mundesi te ndertojne.

Ne fakt kjo eshte arsyeja pse kam kerkuar ne interpelance zonjen ministre.

Sepse dua të degjoj përgjigjet tuaja për disa cështje.

Së pari, kur i propozuat këshillit të ministrave zvogëlimin e sipërfaqes së mbrojtur në Parkun e Butrintit, a ishit ju në dijeni se në zonat që ju po nxirrnit jashtë mbrojtjes, Edi Rama kishte dhene nje leje ndertimi per një resort turistik?

2- A ishit në dijeni ju se pas resortit qëndronin të afërmit e sekretarit të përgjithshem të Partisë Socialiste?

3-A keni patur ju komunikim me Agjencinë Kombëtarë të Zonave të Mbrojtura për këtë cështje, per manastir resort?

Ju faleminderit!

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb