Mbledhja e Këshillit të Mandeteve, ku temë diskutimi ishte kërkesa e 14 deputetëve të Partisë Demokratike për t’i hequr mandatin ministres së Jashtme, Olta Xhaçka ka zgjatur vetëm 30 minuta.

Ishte kryetarja e Komisionit, Lindita Nikolla ajo që hapi mbledhjen, ndërsa lexoi edhe rregulloren. Ndërkohë, nga ana e opozitës ishte kreu i grupit parlamentar të PD-së, Enkelejd Aliebaj ai që theksoi se kërkesa është nënshkruar nga 14 deputetë.

Deputetët e PD-së, të udhëhequr nga kreu i Grupit Enkelejd Alibeaj kërkuan që të prezantonin kërkesën e tyre  për ndjekjen e procedurës parlamentare për konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit te mandatit të deputetes Olta Xhaçka.

Por socialistët në krahun tjetër kërkuan që diskutimi mbi dokumentacionin e paraqitur nga PD të diskutohet në mbledhjen e radhës, pasi disa deputetë të PS kanë qenë në udhëtime jashtë Shqipërisë, në kohën kur është dorëzuar propozimi në Kuvend.


“Nja 1/10 e deputetëve të parlamentit është kërkuar pavlefshmëria e mandatit të deputetes Olta Xhaçka.
Kërkesa është e nënshkruar nga 14 deputetë. Përveç depozitimit të mocionit, janë të bashkëlidhur dhe faktet dhe provat përkatëse, vendimet e Komisionit të Investimeve strategjike, dhënien e statusit të investitorit strategjik të shoqërisë që ka lidhje me znj. Xhaçka. Ekstratet nga institucionet që përcaktojnë kush është administratori i shoqërive përkatëse. Kërkesa i ka të gjithë elementët. Janë përcaktuar qartësisht dispozitat ligjore, shkelja e tyre, analiza e fakteve dhe pjesa e provave. Sa i përket shtjellimit të përmbajtjes, do ta bëjë z. Korreshi.”, tha Alibeaj.

Pas diskutimeve midis deputetëve të të dy palëve kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla mori në konsideratë kërkesën e socialistëve për më shumë kohë dhe e mbylli mbledhjen duke kërkuar nga kolegët deputetë që të studiojnë me detaje propozimin e PD.

“Unë i dëgjova me shumë vëmendje diskutimet tuaja kolegë. Dhe nuk e anashkaloj dot kërkesën e kolegëve për të studiuar në themel çështjen. Unë mendoj që ne ta mbyllim këtu mbledhjen dhe të vijojmë me këtë procedurë. Tu japim kolegëve të gjithë kohën e nevojshme që të studiojnë dokumentacionin  e sjellë prej jush dhe ti japim seriozitetin e caktuar çështjes”, tha Nikolla duke mbyllur mbledhjen.

Mbledhja në fjalë u kërkua nga opozita, pas akuzave se bashkëshorti i Xhaçkës ka përfituar si investitor strategjik tokë në bregdet.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb