Atentati me armë zjarri që ndodhi mbrëmjen e sotme në qytezën e Milotit i ka marrë jetën 28-vjeçarit Klinsman Preçit dhe ka lënë të plagosur rëndë 47-vjeçarin Ylli Brahimi.

Të dy personat kanë qenë objektiv i sulmeve të armatosura në janarin e 2021 dhe në maj të vitit të shkuar, në dy atentate të bëra në mes të ditës.

Ndërkohë sa i përket atentatit të sotëm, gazetari Elidon Ndreka sqaron se Preçi dhe Brahimi lëviznin me një automjet fuoristradë tip “Land Chrysler”, të blinduar.

Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor që po këqyr kamerat e sigurisë që ndodhen në vendngjarje, pasi shumë pranë rrugicës ku ndodhi atentati gjendet një bankë e nivelit të dytë.

Ndërkohë, nga burime zyrtare mësohet se dyshimet paraprake të policisë janë se Ylli Brahimi ka qenë objektivi i autorëve që kanë qëlluar në drejtim të mjetit, teksa i janë afruar me një automjet tip “Audi” që dyshohet se u dogj në zonën e Krujës.

Gazetarja Klodiana Lala raporton se ata janë qëlluar në momentin kur kanë zbritur nga automjeti i tyre dhe ishin duke hyrë në pallatin ku banonin. Mësohet se viktima dhe i plagosuri jetojnë në të njëjtin pallat, respektivisht Klinsman Preçi në katin e parë, ndërsa Ylli Brahimi në katin e tretë.

Ndërkohë, po merren në pyetje edhe banorët e zonës të cilët mund të kenë dijeni, por edhe disa persona që mund të kenë dijeni për të kaluarën e dy të rinjve.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb