Tirana e nis me humbje aventurën në Evropë, duke u mposhtur 1-0 nga luksemburgasit e Dudelange në transfertë, sfidë e vlefshme për turin e parë eliminator të Champions League. Një humbje që djeg jo pak, edhe pse shpresat për kualifikim nuk janë shuar për bardheblutë, që kanë ndeshjen e kthimit në dispozicion për të përmbysur rezultatin. Një sfidë e luftuar nga të dy ekipet, me vendasit disi më agresiv në pjesën e parë, por 45 minutëshi i parë përfundoi pa gola.

Ndeshja u ndez më shumë në të dytën. Në 54’, Dudelange mbetet me 10 lojtarë. Kirsh bën një ndërhyrje të gabuar ndaj Totre dhe ndëshkohet me të dytin e verdhë. Por avantazhi numerik do të zgjaste vetëm 14 minuta, pasi Limaj humb topin dhe pastaj bën faull duke u ndëshkuar brenda pak minutash me kartonin e dytë të verdhë dhe duke lënë edhe Tiranën me 10 lojtarë. Tri minuta pas këtij episodi, në minutën e 71’, vendasit shënojnë.

 

 

Pas një harkimi nga e majta, Hasan gjuan me kokë dhe pasi sfera prek shtyllën, përfundon në rrjetë. Ky avantazh do të mbetej në fuqi deri në fund. Ndeshja e kthimit do të luhet më 12 korrik në “Air Albania”, duke filluar prej orës 20:00.

 

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb