Derbi i Italisë si rrallë herë kishte pak histori, në “San Siro”, Inter dominoi totalisht Juven me Antonio Conte që i dhurojë leksion futbolli Andrea Pirlo. Zikaltërit marrin një fitore të pastër 2-0, një sukses që mban të ndezur ëndrrën titull, kjo ishte një fitore karakteri dhe një provë force, ky Inter mund t’ia dalë të thyej hegjemoninë e “Zonjës së Vjetër” në Serie A. Rezultati mund të ishte edhe më i thellë, me Inter që krijojë një volum të madh dhe raste të shumta për shënim por historia mund të ishte ndryshe nëse anësori nuk do ti anulonte golin C.Ronlados. Inter mori shpejt kontrollin e lojës dhe në minutën e 12-të Arturo Vidal me kokë kaloi zikaltërit në avantazh. Një gol prej “ishi” në një sfidë ku Vidal u bë protagonist ende pa nisur mirë duke puthur stemën e Juves. Zhbllokimi i rezultatit i dha Interit një marsh më shumë, Martinez kishte mundësi të dyfishonte shifrat por fluturimthi nuk arriti të ul në kuadrat topin e grushtuar nga Szczesny. Inter ishte prezent në mënyrë konstante në zonën e Juves por pa mundur të mbyllin ndeshjen brenda pjesës së parë.

Një top i gjatë nga Bastoni u shfrytëzua në mënyre perfekte nga Barella në minutën e 52-të duke dërguar topin në rrjetë, një gol për katalog. Pirlo u përpoq të ndryshonte rrjedhën e këtij takimi duke kryer tre zëvendësime të menjëhershme por që në fushë nuk kishin asnjë efekt. Në hije totale dhe CR7, një ndeshje për tu harruar ku nuk arriti të linte gjurmë në asnjë moment. Juve humbet terren gjithnjë e më shumë në raport me rivalët ndërsa Inter shton dhe më shumë besim se ky mund të jetë sezoni i duhur për tu rikthyer tek titulli.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb