TIRANE- Droga me sa duket këto kohë mund të gjendet më lehtë së kurrë. Mjafton ta kërkosh atë, madje hapur fare, duke iu kërkuar kamarierit të një lokali, njësoj sikur do të porosisje, kafe, makiato, një birrë, apo një gotë verë. Këtë e ka investiguar emisioni “Stop”, duke shëtitur nëpër lokalet e Tiranës, ku mendohej se shpërndahej drogë.

Në videon e publikuar nga “Stop”, gazetarja e emisionit ka shkuar nëpër disa lokale dhe ka kërkuar të blerë drogë. Kamarieri i njërit prej lokaleve, i ka thënë se aty shiten të gjitha llojet e drogave.

Madje ai thotë se është nip me kreun e Qarkut të Beratit, të emëruar nga Rama dhe se të gjithë këta përdorin drogë.

Kamerieri jep leksione mbi drogat dhe më pas vjen edhe shpërndarësi ku vajza blen një qese hashash.


20161011-203004 by e-d21

BISEDAT

Dialogu tek lokali i parë

Qytetarja: Nargjile pihet, këtu?

Kamarieri: ….

Qytetarja: Jo!?

Kamarieri: Hashash, droga të tjera po. Po argjile, jo.

Qytetarja: Për këtë erdhëm ne ore… Për të pirë ndonjë gjë kështu (drogëra), nargjile.

Kamarieri: E doni me nargjile tamam?

Qytetarja: Po. Nuk keni? Po, sikur ka pasur këtu!?

Kamarieri: Ka pasur, po s’ka më. N.q.s doni ndonjë drogë tjetër, po.

Qytetarja:
Po ca ke?

Kamarieri: Kokainë, krokodil, LSD­-ë. Ca do ti?

Qytetarja: Hashash dua!

Kamarieri:
Edhe mund ta gjejmë.

Kamarieri: Ta bëj unë me shije ca të duash ti.

Kamarieri: Si të dëshironi ju! Unë jam këtu, në shërbimin tuaj! Lokali është pak i fshehur, si të thuash, është mirë për këtë punë.

Qytetarja: Tani, sa është një kështu (qese hashash)?

Kamarieri: 5 mijë lekë (të vjetra) është ajo.

Qytetarja: E keni vet ju, lokali? E gjen ti?

Kamarieri: I them një shoku, se ai merret (me drogë). N.q.se hashashi të ul tensionin, të fut në atë gjendjen melloë, si quhet edhe lokali, kurse kokaina bën komplet të kundërtën. Kokaina të rrit tensionin.

Qytetarja: Adrenalinën.

Kamarieri: Adrenalinën. Edhe faktikisht alkooli ta ul, prandaj bëhet ai kombinimi alkool – kokainë, që pinë njerëzit. Kokaina më e pastër që mund të pihet është 50 %. Gjysmë për gjysmë, sepse të çahen venat e gjakut, të shkakton hemorragji të brendshme. Ne e përdorim më shumë, kur bëjmë “Party”, këtu tek lokali. Ne faktikisht, është pjesa këtu, që ne “Party­it” i bëjmë me pak veta. Kokaina faktikisht, këtu (lokal) është 80 mijë lekë (të vjetra) grami. Kokaina është e vetmja drogë, që nuk shkakton varësi trupore.

Qytetarja:
Kokainën e pinë deputetët e …

Kamarieri:
Me doktorë, ca janë mjek roje, që punojnë turni i tretë, të gjithë e pinë. Shiko! Xhaxhi im është kryetar i Qarkut të Beratit dhe Edi Ramën e ka shok të ngushtë. Në momentin, që është emëruar, është emëruar nga Edi Rama. Që i ka çuar mesazh, që kështu … je kryetari i qarkut. Dhe o pinë ata…

Qytetarja: Më fal! Ti e ke tëndin tani, lokalin?

Kamarierja:
Jo. Këtë e kanë dy shokë të mi, kurse unë e menaxhoj. Ai është një kosovar e ka marrë këtë lokalin, kurse unë e menaxhoj.

Qytetarja: Ki kujdes nga këta (policia) njëherë!

Kamarieri:
Nga kush?

Qytetarja:
Mos të kap ndonjë (polic) …?

Kamarieri: E mbyll atë derën, aty. Pa një mandat, ai (polici) nuk hyn dot, sepse është pronë private. Kupton?

Qytetarja:
Po.

Kamarieri: Unë jam i aftë ta largoj policin, t’i them, merr mandatin hajde nesër. Edhe n.q.s nuk ndodh diçka e tillë, prapë i kemi 3, 4 , 5 miq. Ndoshta 10-­të.

Vjen pronari i lokalit


Pronari:
Ca bëni ju? N.q.se doni “hashash”, po bëjmë një telefon, na e sjellin.

Telefonata: Alo! C’osht kjo në shtëpi mo?! Kush të ka fut ty në shtëpi?! E premte sot?! Sot “top hill­i” na pret! Hajde këtej dhe dua nji qese (hashash). Klienti gjithmonë ka të drejtë! Kur vjen klienti kërkon hashash, t’i thjesht mundohu t’ia gjesh. Kur ta kenë këto atë idenë e vet (për kokainën), hajt ta provojmë! Unë do i qeras me nga dy viza (kokainë). Hajde mo, o Korça! Djali që sjell hashashin.

…………………
Qytetarja: Sa bën o burrë?

Pronari: 5000 lekë (të vjetra) mo, 5000 lekë bëjnë.

Qytetarja:
5000 lekë (të vjetra)!

Qytetarja: Edhe këto (lekët). Merri ti, këto (lekët)!

Pronari: Jepja atij! Mbaje 5000 lekëshin aty dhe kaq! Urdhëro goca! Jeni shumë në rregull.

Qytetarja: Faleminderit!

Pronari:
Mirupafshim.

Qytetarja:
Shumë faleminderit për respektin! Natën.

Dialogu tek lokali i dytë

Klientja: Më fal, të të bëj një pyetje?

Kamarieri: Po.

Klientja: Kur organizoni ndonjë gjë këtu?

Kamarieri: Na një tip si… kshu…

Klientja: “Party”

Kamarieri: E.

Klientja: “Party” të vogël se duam …

Kamarieri:
Në fakt, ne s’kemi bërë ndonjëherë po s’e di ta organizojmë po.

Klientja: Jo, se unë kam qenë dy herë vjet, prandaj po them, se duam të pimë ndonjë …
Kamarieri: E kuptoj.

Klientja: Hashash, ndonjë kokainë.

Kamarieri: Po, kuptoj.

Klientja: Kur?

Kamarieri: Po, shiko..!

Klientja: Kur filloni tamam, si me thënë, se?

Kamarieri:
Ne tamam, tetori. Tani, që fillon muaji tamam, fillojnë edhe shkollat, fillojnë, se tani s’ka shumë rob (njerëz). Kupton?

Klientja: Po, prandaj po them.

Kamarieri: Tani fillojnë vijnë robtë.

Klientja: Po kështu hashash ose kokainë?

Kamarieri: Po s’është problem, se ka dhoma aty. Janë dhomat.

Klientja: Po pra e di, prandaj po them. Janë po ato çmime?

Kamarieri: S’është problemi aty, se këtë e rregullojmë ne. Thjesht të bëheni ju , ose ku di unë, një grup.

Klientja: I kam më tepër kosovarë.

Kamarieri: Po.

Klientja:
Mirëpo , e ke parasysh, se dua t’i respektoj.

Kamarieri:
E kuptoj, e kuptoj.

Kamarieri:
Po. Organizojeni ju, s’është problem, e mbajmë lokalin mbas orës 12 (të natës), me muzikë tamam, e kyçim.

Klientja: Ndonjë krokodil, ndonjë gjë.

Kamarieri
: Po.

Klientja: Shumë faleminderit.

Kamarieri: Faleminderit.

Klientja: Mirupafshim.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: