Dy nga katër ekipet shqiptare pjesëmarrëse në Conference League, Teuta dhe Laçi, arritën të kalonim më tej në raundin e tretë, një arritje e shkëlqyer të cilën nuk harron ta përgëzojë as presidenti i FSHF-ës, Armand Duka. Nga Shkodra, aty ku ndoqi live Vllazninë përballë AEL, numri një i futbollit në vend i vendos një notë pozitive paraqitjes në europë, me shpresën që të vijojmë të shohim të tjera arritje historike:

Duka nuk preferoi të flas për garën e tij, atë për kreun e FSHF-ës, ku këtë herë e sfidon një figurë e njohur e gazetarisë sportive si Dritan Shakohoxha. Në pritje për të filluar sezoni i ri, Duka shpreson që kërkesat e futbollit të merren në konsideratë nga qeveria por nuk është për bojkot, nuk është koha për të diskutuar një vendim i tillë kaq ekstrem:

PARAQITJA E VLLAZNISË – “Vllaznia mund të them se ka bërë një edicion të mirë, shumë të mirë në kampionatin shqiptar, ka bërë paraqitje shumë të mirë në Kupat e Europës. Në turin e parë, pasi përmbysi atë rezultat ndaj Shirokit. Por hap pas hapi niveli vështirësohet, kjo ishte skuadër e nivelit më të lart. Por nuk mund të them se ishte Superiore ndaj Vllaznisë në të dy ndeshjet, mendoj se fati i ndihmoi më shumë ata. U bë shtyllë, në një rast u mendua se topi kaloi vijën. Me pak fat mund të ishte ndryshe e mund të luhej për shtesë. Por mund të them se kishte nota pozitive për Vllazninë, skuadrën stafin, gjithçka”.

EKIPET SHQIPTARE NË EUROPË – “Do të donim të katër skuadrat të vazhdonin dhe të shihnim futboll ndërkombëtar deri për Vitin e Ri, të ishin në grupe. Por paraqitja është e pëlqyeshme, Laçi e Teuta vazhdojnë, uroj të na çojnë sa më gjatë dhe të shohim sa më shumë ndeshje ndërkombëtare me klube. Niveli i kundërshtarëve vështirësohet dhe ata i presin rivalë edhe më të vështirë. Krajova ishte e fortë që nuk mendohej se Laçi do të ishte favorit e kalonte, por falë organizimit, skuadrës, trajneri, e kaluan. Nëse do të bëja përmbledhje do i vendosja nota pozitive Europës”.

TIFOZ ME VLLAZNINË – “Gjithmonë kam qenë tifoz i Vllaznisë. Para se të isha president i FSHF dhe tani jam tifoz i Vllaznisë”.

RRITJA E NIVELIT TË KLUBEVE SHQIPTARE – “Nëse çdo vit bëjmë nga një centimetër apo hap para është mirë. Mendoj se kampionati shqiptar i ka bërë hapat para dhe këtë e tregon paraqitja në kompeticione ndërkombëtare, nuk jemi inferiore. Nëse do të ishim para disa vitesh, me një ekip qipriot nuk do të kishim një rivalitet të tillë. Kampionati ka bërë hapa para e shpresojmë më shumë. Kthimi i Dinamos ka shtuar konkurrencën, derbit, ndaj uroj të ketë një kampionat më të bukur vitin e ardhshëm”.

KANDIDIMI I SHAKOHOXHËS – “Është shpejt për këtë punë, duhet të flasim tani për futbollin”

KËRKESAT E KLUBEVE – “Nuk janë harruar, por zhvillimet politike kanë qenë të tilla, kanë qenë zgjedhjet, kanë pushimet e verës, ndoshta nuk janë kthyer ende në punë. Por në të gjitha mënyrat ne do të kërkojmë që ligjet në Shqipëri të bëhen që të krijojnë kushte për zhvillimin e futbollit që sporti në përgjithësi të mos vuajë e të jetë informal, por të jetë i formalizuar e të kthehet në industri e degë e rëndësishme të ekonomisë shqiptare.

A DO FILLOJË KAMPIONATI ME BOJKOT – “Nuk besoj se nuk kemi vendim për bojkot deri tani. Nuk është bojkoti gjëja më e mirë, të presim fillimin e sezonit, diskutimet. Të presim”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb