Efektivët e Forcave të Armatosura kanë qenë prezent dhe gjatë natës në Kakavijë teksa udhëtarët prisnin në radhë të gjata kilometrike për të ikur drejt Greqisë.

Në një video të siguruar nga ‘’BalkanWeb’’, FA shpërndanin fletë me një mesazh për të gjithë udhëtarët që shkonin për në Greqi.

Në fletë ishin masat e vendosura nga Greqia si dhe oraret  e punës së pikave kufitare dhe numrit të limituar të qytetarëve që do të lejohen të kalojnë.

Më tej në fund, në një apel u bëhej thirrje qytetarëve që të kthehen në banesat e tyre në Shqipëri pasi kalimi drejt Greqisë është i pamundur.


“Nisur nga situata e krijuar në dalje të Republikës së Shqipërisë, ku qytetarët janë dyndur për të dalë drejt shtetit grek, ju bëjmë thirrje se autoritet greke po zbatojnë masat e ndërrmara nga qeveria greke për parandalimin e përhapjes së pandemisë dhe për këtë arsye është e pamundur që të gjithë këta qytetarë të dalin nga Republika e Shqipërisë gjatë këtyre ditëve pasi nga dita e nesërme do të lejohen të kalojnë vetëm 750 shtetas të pajisur me PLF ndërsa nga data 17 gusht do të lejohen të kalojnë 750 shtetas nga Pika e Kalimit Kufitar Kakavijë dhe 300 shtetas nga PKK Kapshticë, të cilët përveç PLF duhet të jenë të pajisur edhe me rezultatin e testit negativ për COVID19, ndërsa pika e kalimit do të funksionojë nga ora 06:00-22:00. Ndaj i bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që të kthehen në banesat e tyre në Shqipëri pasi e kanë të pamundur kalimin drejt Greqisë”, shkruhej në letrën e shpërndarë nga efektivët e FA.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb