TIRANE- 1000 forca policore pritet të blindojnë qytetin e Elbasanit gjatë këtyre ditëve, në prag të ndeshjes së Kombëtares shqiptare me Izraelin. Policia ka marrë në dorë “çelësat” e stadiumit “Elbasan Arena” prej dy ditësh dhe nuk lejon askënd të hyjë brenda, përveç atyre që kanë një autorizim. Sipas drejtorit të stadiumit “Elbasan Arena”, Dritan Kadia niveli i masave të sigurisë për këtë ndeshje i kalon edhe ato të marra për ndeshjen ndaj Serbisë.

“Për shkak të specifikës së kësaj ndeshjeje, vetë pala izraelite ka kërkuar që masat e sigurisë të jenë të veçanta, në krahasim me ndeshjet e tjera, ku janë të krahasueshme me atë ndaj Serbisë. Ka një bashkëpunim shumë të mirë të Federatës, stadiumit dhe të gjithë autoriteteve të tjera bashkë me policinë, që gjithçka të shkojë më së miri dhe besoj se ashtu do shkojë”, tha Kadia.

Burime të “BalkanWeb” thonë se policia do të ngrejë një perimetër sigurie rreth stadiumit ku do të ushtrohen disa kontrolle për të mos lejuar futjen e fishekzjarrëve, banderolave dhe sendeve të tjera të paligjshme. Këto masa janë marrë në kuadër të sigurisë dhe rrezikut që mund të paraqesë kjo ndeshje, sidomos nga sulmet terroriste.

Në një intervistë për gazetarin Fatmir Popja, drejtori i stadiumit “Elbasan Arena”, Dritan Kadia, ka folur edhe rreth kushteve në stadium dhe sigurisë për këtë ndeshje. “Jemi në momentet e fundit para përfundimit të përgatitjeve për ndeshjen Shqipëri-Izrael. Siç dihet, pritej që kjo ndeshje të luhej në Shkodër, por për arsye sigurie siç vendosi FIFA dhe UEFA do të zhvillohet në Elbasan. Për ne është kthyer në një rutinë për të marrë masa për zhvillimin e një ndeshje futbolli. Kemi përballuar shumë në këtë stadium dhe praktikisht kemi dërguar Shqipërinë për herë të parë në finalet e një Europaini. Presim që stadiumi të mbushet dhe të marrim një rezultat pozitiv për të na dërguar edhe në Rusi”, u shpreh fillimisht Kadia.

Në lidhje me biletat ai theksoi: “Konvertimi i biletave, ashtu siç është parashikuar në planin e masave që FSHF-ja së bashku me kompaninë që shpërndan dhe shet biletat, është duke u bërë si në Shkodër, Tiranë dhe Elbasan”, u shpreh në prononcimin e tij Kadia.

Sakaq, pritet që pallatet pranë stadiumit të boshatisen gjatë zhvillimit të takimit, ndërsa të gjitha lokalet rreth tij do të mbyllen.

BLINDOHET EDHE HOTELI KU QENDRON SKUADRA E IZRAELIT
Nga ana tjetër policia ka marrë në ruajtje dhe hotelin ku do të qëndrojë ekipi kombëtar izraelit, i cili mbërriti në aeroportin e Rinasit pasditen e kësaj të enjteje.

Shoqërimi dhe ruajtja e tyre i është ngarkuar forcave speciale RENEA, ndërsa në gatishmëri do të jenë edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë. Në planin e masave është përfshirë edhe Shërbimi Informativ Kombëtar, ku shumë agjentë civile do të jenë në lëvizje para, gjatë dhe pas zhvillimit të takimit të vlefshëm për Eliminatoret e Botërorit Rusi 2018.

Mësohet se inspektime të vazhdueshme në “Elbasan Arena” janë zhvilluar prej ditësh edhe nga një grup i huaj, i cili konfirmohet nga burime të policisë, se i përket shërbimeve inteligjente izraelite.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb