Kryeministri Edi Rama është takuar sot me fermerë e banorë të Maliqit ku ka bashkëbiseduar për problemet që kanë dhe projektet e qeverisë. Ndërsa ka përfunduar fjalën e tij, një fermer i ka kërkuar ndihmë kryeministrit, duke rrëfyer se kanë dashur ta eliminojnë fizikisht për tokën dhe se nuk po gjen zgjidhje. Mbi tokën e fermerit ishte ngritur një karburant por pa asnjë dokument.

“Kam një çështje të rëndë, sa kërkonin të më eliminonin plotësisht në vite vetëm e vetëm se kam marrë një titull pronësie me ligjin 7501. Mirëpo kjo tokë tashi në ’97, po i bie fare shkurt që të mos mërziteni se kam hequr dhe po heq me Përmbarimin që më ka ardhur 3 herë. Edhe po më tërheqin zvarrë edhe nxjerrin edhe gjuhën, më tundin edhe femrat edhe këtë…(të pasmet) më falni për shprehjet dhe lëvizjet. Tani, kjo tokë nuk më njeh asgjë. Në 97 vijnë ca zarba dhe ndërtojnë një karburant bashkë me fqinjët, që më është bërë si Shqipëria që e copëtuan në 1913. Ca zarba majtas, ca djathtas edhe një përpara tani që ma mbyllën komplet hapësirën familjare. Dhe komuna Libonik, Petrit Kupja me shokë nuk më nxjerrin. Sot e kësaj dite, edhe hipoteka skicën e tokës arë se duan të fshehin dy kanalet që kanë qenë dhe i kanë dhënë një territor sikur nuk ka titull pronësie ky karburant. E ndërtuan këta trimat kështu…erdhën këtu se nuk isha në emigracion, ishin në Greqi. Të gjitha gjykatat… ”, ka thënë qytetari.

Rrëfimi i tij është ndërprerë për shkak të një problemi teknik, por qytetari është shfaqur shumë i revoltuar, ndërsa ka shpjeguar se ka qenë në emigrim kur i kanë marrë pjesë të ndryshme të tokës.

PËRGJIGJJA E RAMËS
Nga stafi i kryeministrit sqarojnë se Rama i ka thënë fermerit të Libonikut se për çështjen e tij do të interesohet personalisht tek kryetari i komisionit për titujt e pronësisë Niko Peleshi.

Nga kryeministria sqarojnë gjithashtu se ndërprerja e sinjalit ka ardhur për shkaqe teknike dhe kjo gjë ka ndodhur në të njëjtin aktivitet në Libonik dy herë, edhe kur vetë Rama ishte duke folur për problemet e fermerëve.

Kryeministri Rama në përgjithësi zgjedh t’i bëjë aktivitetet dhe takimet pa praninë e mediave dhe transmetimi i tyre i drejtpërdrejtë bëhet përmes një regjie qendrore, të siguruar nga vetë kryeministria.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: