Franca zhvilloi mbrëmë ndeshjen e dytë në grupet e Ligës së Kombeve kundër Holandës të cilën e fitoi me shifrat 2-1.

Mbi të gjithë, në këtë ndeshje u festua edhe fitimi i Botërorit pasi për herë të parë që prej 15 korrikut “gjelat” luajtën në stadiumin e tyre, “Stade de France”.

Momente të veçanta për 80 mijë të pranishmit, të cilët iu bashkuan futbollistëve në fushë kur shokët e skuadrës filluan t’i këndojnë këngën e famshme N’Golo Kante-s, mesfushorit i cili njihet për tipin e tij tepër të rezervuar.

“N’golo Kante! Është i vogël, është i mirë, ka ndalur Lionel Messi-n, por të gjithë e dimë se është mashtrues,”-këndon Pogba me shokë.

Kante është pjesë e Chelsea-s në Angli, por përveç aftësive të jashtëzakonshme si futbollist ai shquhet edhe personalitetin mjaft të dashur nga të gjithë. Mjafton të kujtojmë se pas një ndeshje kundër Arsenal të fituar me shifrat 3-2, një tifoz i “topçinjve” i kishte shprehur francezit mërzinë dhe ky i fundit i kishte kërkuar falje për fitoren.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb