Skënderbeu mund me shifrat 1-0 Partizanin në shtëpi, në takimin e vlefshëm për Superioren. “Kërcënimi” i parë serioz i takimit erdhi pas 8 minutash lojë, me Atanaskoskin që gjuajti drejt portës, por priti Alia. Në minutën e 20-të, provoi edhe Grezda, pa rezultat. Pas gjysmë ore lojë, të kuqtë kërkojnë penallti me pretendimin se Prençi kishte prekur topin me dorë. Gjithsesi, gjithçka e rregullt sipas arbitrit, me lojën që vijoi normalisht.
Në fundin e fraksionit të parë, korçarët insistuan për golin e avantazhit, por asgjë më shumë se kaq, me të dy skuadrat që shkuan në dhomat e zhveshjes me rrjeta të paprekura. Në të 65-tën, portieri Alia shfaqet përsëri protagonist, duke i mohuar golin Mba-së, me këtë të fundit që dështoi të shënonte përballë portierit.
Të besuarit e Gvozdenovic realizuan gol në minutën e 83-të, duke dërguar në festë tifozerinë e Skënderbeut. 19-vjeçari Rashica mposhti Alban Hoxhën nga pika e bardhë e penalltisë, 11-metërsh ky i fituar nga Liço.
Asnjë ndryshim rezultati deri në fund, Skënderbeu shkon kështu në kuotën e 12-pikëve, duke kapërcyer menjëherë në vendin e dytë të tabelës. Në krahun tjetër, Partizani i Zekic gjendet në mesin e tabelës, në vendin e pestë me 8 pikë.
(J.S/BalkanWeb)