Në kushte të vështira të motit, temperatura të ftohta dhe dëborë, efektivë të Forcave Speciale janë trajnuar për herë të parë vetëm me pajisjet e tyre personale, në Voskopojë të Korçës.

Kjo stërvitje në kushte të vështira, nën emërtimin “Selita 02” kishte si synim testimin e kapaciteteve larg venddislokimit të përhershëm.

Trupat elitë sfiduan terrenin malor dhe motin ekstrem të Voskopojës dhe përveç veprimeve tashmë të zakonshme u praktikuan edhe taktikat speciale me ski.

Kolonel Ajeta Jata, komandant i batalionit të Forcave Speciale shpjegon se “Forcat Speciale për herë të parë trajnohen në një terren të vështirë vetëm me pajimet e tyre personale duke iu përshtatur mjedisit. Forcat speciale dhe roli i tyre sa vjen e rritet. Këtë e shohim në të gjitha aktivitetet dhe dimensionet e Forcave Speciale dhe angazhimet që ata kanë sot në Botë. Edhe ne jemi në rrugë të mbarë, pasi dita-ditës po rrisim kapacitetet tona e synojmë që të krijojmë një Forcë Speciale që të jetë e aftë të kryejë detyra speciale me një spektër të plotë të luftimeve ».

Objektivat e stërvitjes janë zbulimi special, kalimi në prapavijat e kundërshtarit, goditje direkte, kërkim-shpëtimi, prita, kundërprita, gjurmimi e kundërgjurmimi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb