Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Stacioni”, ndërsa në pranga ka rënë një 39-vjeçar, i cili shpërndante lëndë narkotike kokainë në qytetin e Tiranës dhe Durrësit. Burime zyrtare nga policia bënë me dije se pas hekurave përfundoi shtetasi Gjovalin Gjoka, banues në Shën Vlash të Durrësit, i dënuar më parë për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Ky shtetas, pasi siguronte lëndën narkotike në sasi prej 200-500 gramë, në zonën e Shijakut, e ndante në porcione nga 10 gramë deri në 100 gramë, të cilat më pas i shiste me shumicë në zonën e “Bulevardit të Ri”, në ish-Stacionin e Trenit dhe në zonën e “Zogut të Zi“, në qytetin e Tiranës, po ashtu në Durrës dhe në Shijak, kundrejt vlerës 8000 lekë të rinj për gramë. Klientët që blinin lëndën narkotike i priste në stacione autobusësh, për të mos rënë në sy. 39-vjeçari e kryente këtë aktivitet kriminal dy herë në javë.

Në vijim të operacionit, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 400 gramë kokainë, një sasi dozash me kokainë, 1 aparat celular dhe 1 automjet me të cilin lëvizte ky shtetas. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: