Basel arriti të fitonte lehtësisht dje përballë Zyrich në kampionat me shifrat e thella 3-0. Përveç dëmtimit të Taulant Xhakës, ajo që ra në sy ishte festa e mbrojtësit paraguaian Blas Riveros i cili realizoi golin e parë.

Ai bëri me duar simbolin e shqiponjës, duke dhënë përshtypjen se ishte një dedikim për Albian Ajetin, futbollistin shqiptar që i dhuroi asistin, por në fund nuk ka rezultuar kështu.

“Në fillim u shtanga, pasi mendova se mos kishte ndonjë pjesëtar shqiptar në familje”, shpjegoi sulmuesi shqiptar për këtë festim të papritur të Riveros. Por situata ishte krejt ndryshe, pasi mbrojtësi 20-vjeçar nuk ia kushtonte golin një familjari, por një miku shqiptar.

“Ai quhet Bashkim dhe punon në një market. Njihemi prej rreth gjysmë viti”, tregoi ai për zviceranët e habitur se pse kishte bërë një festim i cili njihet tradicionalisht në këtë vend se u përket shqiptarëve.

Lojtari tregoi se miku i tij shqiptar, pasi kishte mësuar se ishte një futbollist të Bazeli, i kishte kërkuar ta përshëndeste ën këtë mënyrë. “Më bëri t’u premtoja që të festoja me shqiponjë kur të shënoja herën tjetër”, tha Riveros i cili dje mbajti premtimin e tij.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb