I madh përballë të mëdhenjve, Napoli nuk ndryshon as kundër Inter, zhvilloi një 90-minutësh perfekt në aspektin taktik duke siguruar një fitore të rëndësishme 1-0 në sfidën e parë të vlefshme për gjysmëfinalet e Kupës së Italisë.

Një perlë e Fabian Ruiz në minutën e 57-të vendosi këtë sfidë ku ekipi i Gattusos nuk fali asgjë, futi në “kafaz” dyshen Lukaku-Martinez ndërsa ngacmoi shpesh zikaltërit me kundërsulme, në fund një fitore e pastër që i jep një bonus të madh në ndeshjen e kthimit për të siguruar një biletë për në finale. Dukshëm, Interit i mungonte freskia dhe qartësia, fakt të cilin e pranoi dhe Antonio Conte:

“Napoli luajti në mbrojtje por u treguan të zot duke e interpretuar saktë dhe duke dalë sa herë iu krijuan mundësitë. I bëj komplimentet e mia Gattusos, por mendoj se nëse do të përfundonte në barazim askush nuk do kishte thënë asgjë. Sigurisht që edhe derbi na ka kushtuar shumë, na konsumoj në aspektin mental”, u shpreh Conte.

“Nuk mund të them se kush është Napoli i vërtetë”, me këto fjalë u paraqit Gatusso në konferencë për shtyp duke shtuar: “Duhet të japim të gjithë 100%, më pas do të shohim se kush do të jete e ardhmja ime dhe e lojtarëve. Duhet ti përgatisim ndeshjet gjithnjë me këtë dëshirë, jemi të vetëdijshëm se vetëm ne e kemi në dorë për të dalë nga kjo situatë”.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb