GJIROKASTËR

Gazetarja e “News24” dhe “BalkanWeb”, Brikena Metaj, ka raportuar live mes lotësh dhe flakëve situatën alarmante në fshatin “Asim Zeneli” të Gjirokastrës.

Gazetarja është shprehur se në këtë fshat është edhe shtëpia e bashkëshortit të saj, e cila është djegur thuajse e gjithë bahçeja.

“Im shoq e ka shtëpinë në këtë fshat dhe jam pikërisht pranë banesës së tij, ku unë kam kaluar 15 vite, kam lindur dhe rritur fëmijët. Fatkeqësisht ka dhe një viktimë në këtë fshat, ku një çift i moshuar është përpjekur të shuajë flakët, por burri ka humbur jetën, ndërsa gruaja është në gjendje shumë të rëndë. Flakët janë futur në fshat, neve na është djegur gati 90% e bahçes. Nuk gjej fjalë që të them, ka tronditur gjithë fshatin kjo ngjarje. Të gjithë i harruan dëmet dhe janë përqendruar te kjo humbje e tmerrshme, ku viktima është Andrea Haxhiaj, ndërsa bashkëshortja ka djegie në pjesën më të madhe të trupit. Edhe këtu te këmbët e mia ka zjarr. Është hera e parë në jetën time profesionale që më ndodh një situatë e tillë gjatë raportimit”, tha gazetarja Metaj, raporton “BalkanWeb”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb