Recetë nga znj Katerina
Përbërësit

1 gjel deti
2-3 lgj gjalpë
Trumzë ose rozmarinë
Cipë portokalli
Kripë, piper

Mbushja:
300-400 gr mish të grirë
100-150 gr mëlçi
2-3 fetëza pançetë
2 feta bukë të thekur në kubikë
10-15 gështenja
2 kokrra mollë
1 kokërr portokall
1 qepë të thatë
½ filxhan (çaji) arra ose stika pishe
½ filxhan kumbulla të thata
1 gotë konjak
Vaj ulliri
Kripë, piper

Përgatitja

Në një tigan të thellë hedhim pak vaj ulliri dhe vendosim të kaurdisen pançeta, mishi i grirë dhe mëlçitë. Mundohemi që kur t’i hedhim në tigan t’i vendosim të veçuara që në fillim të kaurdisen më vete dhe pastaj së bashku. Shtojmë më pas qepën, kripë, piper dhe vazhdojmë kaurdisjen derisa qepa të zbutet.

Presim mollët në kubikë të vegjël, qërojmë gështenjat e ziera, grijmë arrat, presim bukën e thekur në kubikë, largojmë bërthamat e kumbullave të thata dhe të gjithë këta përbërës i shtojmë në tigan. I trazojmë për 1-2 minuta duke i shuar më pas me 1 gotë konjak dhe lëngun e cipën e një portokalli. E largojmë tiganin nga soba dhe e lemë të ulë pak temperaturën.

Vendosim gjelin në tryezën e punës (e rëndësishme është që gjeli i detit duhet të jetë i temperaturës së ambjentit, dmth të jetë nxjerrë nga frigoriferi të pakten 40 minuta më parë). E lyejmë gjelin mirë me kripë piper, trumzë dhe gjalpë të shkrirë. Hapim pjesën e gjoksit duke veçuar lëkurën dhe në pjesën e brendshme të lëkurës vendosim pak gjalpë. E spërkasim nga jashtë dhe brenda me kripë dhe piper dhe më pas mbushim pjesën e barkut. Marrim një spango kuzhine duke filluar nga pjesa e bishtit, këmbët dhe krahët. E lidhim mirë që mbushja të qendrojë e ngjeshur dhe e lyejmë gjelin me vaj ulliri duke e masazhuar. E vendosim gjelin e mbushur në tavë dhe e vendosim në furrë të parangrohur në temperaturën 220 gradë fillimisht për 40-45 minuta dhe më pas ulim temperaturën në 160 gradë, e mbulojmë me letër kuzhine ose kapak dhe e lemë të piqet ngadalë për rreth 3 orë. Në fund e lyejmë gjelin me pak gjalpë dhe mjaltë, e lemë 5 minuta të marrë ngjyrë të artë dhe e kemi gati për servirje.

Shenim: Kjo është mënyra më e mirë e pjekjes së gjelit që mund t’a servirim me disa mënyra me mollë të mbushura, me kulaç ose me bukë misri.

Mënyra e parë: Heqim lëngjet që dalin gjatë pjekjes dhe shtojmë rreth e rrotull gjelit mollët e mbushura me masën e përgatitur të mbushjes së gjelit. Mollët i vendosim të piqen në 30 minutëshin e fundit të pjekjes së gjelit (pa kapak ose letër). Lëngjet e nxjerra të gjelit i reduktojmë në një tigan sa të bëhen si një salcë e lidhur dhe e servirim me mishin dhe mollët e pjekura.

Mënyra e dytë: Lëngjet që dalin gjatë pjekjes i shtojmë në një tigan ku kemi kaurdisur më parë qepë me nenexhik. E lemë të marrë valë dhe thërrmojmë kulaçin duke e trazuar mirë. Në të njëjtën mënyrë veprojmë dhe me bukën e misrit por tek qepa shtojmë dhe pak presh.

(Vila24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: