Të paktën 20 veta kanë humbur jetën dhe mbi 200 kanë mbetur të plagosur nga pasojat e një tërmeti të fuqishëm prej 5.7 të shkallës, që goditi Pakistanin jugperëndimor të enjten herët në mëngjes.

Shërbimi Gjeologjik amerikan tha se epiqendra e tërmetit ishte rreth 100 kilometra në perëndim të kryeqytetit të provincës Kueta, afër kufirit me Afganistanin.

Qyteti i minierave të qymyrit Harnai, në provincën Baluchistan, pësoi goditjen më të rëndë nga tërmeti, i cili rrënoi 100 shtëpi të ndërtuara me baltë, duke bllokuar brenda shumë banorë që ishin duke fjetur. Pamjet televizive shfaqën njerëz që iknin nga shtëpitë e tyre në panik. Autoritetet thonë se shumica e viktimave janë gra dhe fëmijë.

Zyrtarët thanë se do të duhet kohë për të arritur në shumë nga zonat më të goditura në rajonin e minierave të qymyrit. Ushtria pakistaneze tha se trupat dhe helikopterët e saj, po ndihmonin autoritetet civile në përpjekjet e shpëtimit.

Ndërprerja e energjisë elektrike, detyroi punonjësit e shpëtimit të përdorin elektrikët e dorës për të trajtuar të plagosurit në spitale.

Autoritetet thanë se dridhjet e fuqishme shkaktuan rrëshqitje dheu në dy vende në autostradën kryesore, që lidhë Kuetën me Harnain.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: