Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me incidentin e ndodhur me parë ku u detyrua të mbyllte bashkëbisedimin live me qytetarët.
Rama u shpreh se është i lumtur që ky moment ka mbetur në Instagram, ndërsa e krahasoi veten me një trajner skuadre i cili mërzitet kur skuadra nuk bën golin.
Referuar postimit në Facebook të kreut të PD Sali Berisha i cili shkruan për incidentin se Rama “shkalloi sapo u përmend këshilltari i fushatës së PD, Chris LaCivita”, kreu i qeverisë tha se e kanë marrë përgjigjen nga shqiptarët.
“Më vjen shumë mirë që ka mbetur në Instagram ai moment sepse është momenti që ndan kush është këtu me shpirt, kush është këtu me zemër, kush është këtu i gjithi njësoj si ata trajnerët tek vija e bardhë që nxisin skuadrën, që luftojnë për skuadrën, që i bien kokës me grushte kur skuadra nuk bën golin dhe nga ana tjetër, mu kujtua oguri i mirë i asaj sëpatës.
Kështu ma nxorën dhe sëpatën për t’ju thënë shqiptarëve “Shikoni se ky është i rrezikshëm, mos votoni këtë”. Por shqiptarët jua dhanë përgjigjen. Rrofshi që e nxorët këtë se këtu kush nuk nxehet me telefonin por këtu nuk është punë telefoni, këtu është punë pasioni për Shqipërinë, për drejtësinë, për demokracinë dhe për Europën këtu në Shqipëri, tha ai.
(BalkanWeb)