KORÇË

Festa e birrës, eventi më i madh veror në Shqipëri, i kthyer tashmë në traditë, mbylli të dielën edicionin e tij të 15-të në Korçë. Përgjatë 5 netëve Korça u bë kryeqendra e vendit, me mijëra turistë që e vizituan atë, për të shijuar birrat më të mira shqiptare dhe muzikë të zgjedhur.

Në natën e fundit ishte ftuar për të përformuar artisti i njohur ndërkombëtarisht Goran bregoviç. Për News24 ai tha para se të ngjitej në skenë, se ishte i lumtur që ndodhej në Korçë dhe premtoi akoma më shumë festë me muzikën e tij.

Pavarësisht faktit që hyrja ishte me bileta, terminali u mbush plot edhe nga njerëz që kishin shkuar në Korçë posacërisht për të ndjekur koncertin e Bregoviç.

Artisti dhe banda e tij filluan koncertin me këngën Kosovarja, në gjuhën shqipe, të cilën ai e krijoi dhe interpretoi në vitet ’80 me grupin e tij të njohur “Bijelo Dugme”.

Në 2 orë koncert, Goran Bregoviç dhe orkestra e tij interpretuan repertorin më të njohur të tyre, që bazohet në motivet dhe ritmet e muzikës së vendeve të Ballkanit, por edhe motive turke, polake italiane etj.

Në fund Bregoviç interpretoi këngën “Kallashnikov” dhe për shkak të polemikave të ndezura kohët e fundit për të, shpjegoi se përse e kishte krijuar dhe cila ishte domethënia e saj.

“Do ta përfundoj koncertin me një këngë që titullohet “Kallashnikov”. Është një këngë disi ironike, një këngë argëtuese, për disa njerëz që pëlqejnë të mbajnë armë. Është një shaka! Në vendin tim ushtarët thonë “Jurish!” Ushtarët tuaj para se të ndërmarrin aksion thonë “Në sulm”! Unë shpresoj që këto fjalë nuk do t’i dëgjojmë kurrë më. Unë shpresoj që ju kurrë nuk do t’i dëgjoni këto dy fjalë, përveçse këtu sot në këtë këngë”, tha Bregoviç para interpretimit.

Të pranishmit në natën e fundit të festës së Birrës shijuan dhe kërcyen për 2 orë muzikën e Bregoviç, duke mbyllur në këtë mënyrë, për këtë vit, një event kaq të rëndësishëm e të pëlqyer.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb