TIRANA

Një 45- vjeçar i dyshuar si autor kryesor i vjedhjes së kasafortave, parave dhe bizhuterive në Tiranë është arrestuar ditën e sotme.

Më parë ishin arrestuar 3 pjestarë të këtij grupi, teksa tashmë është arrestuar dhe kryesori i tyre teksa në banesë i janë sekuestruar edhe sende me vlerë që i kishte vjedhur më parë.

Por ndërkohë operacioni i koduar ‘’Sezoni’’ pikërisht për këtë grup vijon, teksa një tjetër shtetase është në kërkim.

 

NJOFTIMI NGA POLICIA

Tiranë

 

Vijon operacioni “Sezoni”, shkon në 4 numri i të arrestuarve.

 

Kapet dhe vihet në pranga autori kryesor i vjedhjeve, i shpallur në kërkim gjatë operacionit “Sezoni”.

 

Kapja e 45-vjeçarit, nga Komisariati i Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Rrugore.

 

Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale euro, lekë dhe sendet e vjedhura në banesa.

 

Në vijim të operacionit policor të koduar “Sezoni”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e  vjedhjes, finalizuar një ditë më parë nga Komisariati i Policisë Nr. 2, Tiranë, si rezultat i të cilit u vunë në pranga 3 shtetas dhe u shpallën në kërkim 2 shtetas të tjerë, ka vijuar puna me hetime të thelluara, për kapjen e personave të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

 

Në vijim të operacionit, nga shërbimet e Policisë të Komisariatit Nr. 2, në bashkëpunim me Policinë Rrugore, u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit A. R., 45 vjeç, banues në Durrës, autori kryesor i vjedhjeve, i dënuar më parë për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikeve” dhe “Armëmbajtja pa leje”.

 

Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetasit e tjerë të arrestuar, vidhte kasaforta, sende me vlerë dhe shuma parash në banesa të ndryshme në Tiranë.

 

Gjatë kontrollit fizik dhe në banesën e këtij shtetasi u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale sendet me vlerë të vjedhura në banesa, shuma të konsiderueshme parash (euro dhe lekë), veshje, 3 aparate celular, njëra prej kasafortave të vjedhura, 1 automjet dhe sendet që autorët përdornin për të kryer vjedhjet.

 

Po në vijim të operacionit u bë i mundur dokumentimi i vjedhjes në banesën e shtetasit E. Ç., ku autorët kanë marrë bizhuteri dhe një shumë parash.

 

Vijon puna për kapjen e shtetases që është shpallur në kërkim dhe për dokumentimin e vjedhjeve të tjera të ndodhura në qarkun e Tiranës, në të cilat mund të jenë të implikuar këta shtetas.

 

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb