Eros Grezda dhe serbi Antonio Mirko Çolak kanë përfunduar me grushte atë që kanë nisur gjatë minutave të ndeshjes mes Osijekut dhe Rijekës. Ka qenë lojtari i Kombëtares shqiptare ai që ka goditur me grusht sulmuesin serb të skuadrës së Rijekës, dhe për këtë pritet që ai të ndëshkohet rëndë nga federata kroate.

Pamjet kanë dalë nga kamerat e sigurisë së parkingut të stadiumit “Rujevica”, ku Rijeka luan sfidat e saj. Takimi ka përfunduar me fitoren e skuadrës vendëse me shifrat 3-2, që ka përmbysur epërsinë e skuadrës së Grezdës, e cila mbeti me 10 lojtarë pas avantazhit 2-0. Serbi Çolak ishte autori i penalltisë që solli barazimin 2-2, ndërsa anësori shqiptar pretendon se gjatë sfidës ai e kishte ofenduar nga familja dhe etnia.

Siç shihet në pamje, mes të dyve ka pasur një komunikim në distancë, teksa Grezda i është afruar dhe e ka goditur. Më pas ndërhyrja e personave të tjerë ka bërë që situata të mos agravohet.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb