ELBASAN

Biznesmeni turk Faruk Fatih Ozer, i cili akuzohet se ka fituar 2 miliardë dollarë nga mashtrimi me kriptomonedhat ka dalë sot sërish para gjykatës ku pritej të vendosej ekstradimi i tij drejt shtetit turk.

Por seanca u shty sërish pasi prokurori solli prova të reja dhe avokati Klodian Skënderi kërkoi kohë për njohjen me materialet e dosjes.

“U parashtruan disa kërkesa procedurale nga ana ime, pati debate. Ne insistojmë që në ngarkim të shtetasit që unë përfaqësoj të zhvillohet një proces i rregullt gjyqësor. Nuk mundet që në seanca ekstradimi të ketë ngut. Nuk e kuptoj pse është tërë ky ngut nga ana e Gjykatës. Ne për këtë punë jemi këtu, të garantojmë interesat e ligjshme të shtetasve”, deklaroi avokati Skënderi.

Turku u arrestua më 30 gusht të këtij viti teksa ishte duke pushuar në plazhin e Himarës. Shtetasi turk, themelues i një platforme online për këmbimin e kriptovalutave, Thodex, mbylli papritur aktivitetin, në prill të vitit të kaluar, pasi kishte grumbulluar një shumë prej 2 miliardë dollarësh nga 391 mijë investitorë.

Ozer ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Ankara, ndërsa Gjykata e Lartë e Stambollit kishte lëshuar ndaj tij urdhër arresti në vitin 2021, për veprat penale “Krijimi i organizatës kriminale” dhe “Mashtrimi me pasoja të rënda”.

I riu turk, kishte mbërritur në Shqipëri më 20 prill 2021, përpara se autoritetet e vendit të tij të viheshin në lëvizje. Një ditë më pas, në platformën Thodex, investitorët lexuan një njoftim të pazakontë për pezullimin e përkohshëm të aktivitetit “për shkak të një investimi të rëndësishëm”. Ky njoftim, i vuri ata në alarm, pasi nuk u mundësohej më qasja në portofolet e tyre. Më 23 prill 2021, autoritetet turke arrestuan 62 persona të lidhur me Thodex, dhe disa të tjerë u shpallën në kërkim.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb