Interi është kualifikuar për në finalen e Kupës së Italisë, pasi eliminoi Juventusin. Ndeshja e parë në Torino kishte përfunduar 1-1, ndërsa sonte në Milano vendasit fituan 1-0.

Zikaltërit e nisën mirë ndeshjen, duke insistuar dhe duke ushtruar presion konstant. Skuadra e Inzaghit u shpërblye me gol në minutën e 15-të, Barella dha një top magjik për Di Marco-n, i cili goditi tokazi dhe mposhti Perin.

Në fillimin e pjesës së dytë, ekipi nga Milano do shënonte golin e dytë. Do ishte Dzeko që do kontrollonte mirë topin, boshnjaku “dogji” mirë Bremer dhe pas një kthese goditi bukur. Gjithsesi, goli do anulohej për pozicion jashtë loje.

Ekipi i Allegrit do vuante shumë në fazën sulmuese dhe rastet e rrezikshme prej tyre ishin me pikatore. Në fund feston Interi, skuadër kjo që do përballet në finalen e Kupës së Italisë me fituesin e çiftit Cremonese-Fiorentina.

 

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: