Interi e nisi me një fitore të thellë, me shifrat 4-0 ndaj Leçes, aventurën në Seria A për këtë sezon.

Në një “San Siro” të mbushur plot, me rreth 65 mijë tifozë, ekipi i drejtuar tashmë nga Antonio Konte e kërkoi që në fillim fitoren, dhe sfida u zhbllokua me një gol fantastik të Brozoviç nga jashtë zone, që në minutën e 21-të.

Kaluan vetëm 3 minuta, dhe ishte radha që me gol të debutonte Sensi para tifozëve të tij, ku me një të djathtë nga hyrja e zonës, nuk i la mundësi portierit të Leçes.

Gol që në ndeshjen e parë, shënoi edhe Romelu Lukaku. Sulmuesi belg i ardhur këtë verë nga Junajtid, shtyu një top të ngelur në zonën e miqve, pas një topi të goditur nga Lautaro Martinez. Pati kohë edhe për një gol të Kandrevës në minutën e 84-t, por çfarë goli. Nga ato për kornizë. Ai lëshoi një goditje me të djathtën nga më shumë se 25 metra, e cila shkoi e u ndal në rrjetë.

Kështu, Interi e nis me këmbën e mbarë Serinë A, dhe tashmë bëhet gati për transfertën e javës së ardhshme ndaj Kaljarit.


Panoramasport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: