Interi ka dalë duarplot nga transferta delikate e “San Paolos”, ku dështonte të fitonte që prej vitit 1996. Skuadra zikaltër ka triumfuar 3-1 ndaj ekipit të Elseid Hysajt, që u aktivizua për 81 minuta në humbjen e skuadrës së tij.

Ka qenë një start i vrullshëm i zikaltërve të Milanos që shfrytëzojnë gafat e lojtarëve të Napolit. Lukaku përfiton nga rrëshkitja e Lorencos dhe shpërthen drejt zonës rivale që nga mesfusha, duke mposhtur Meret me një gjuajtje kirurgjikale në të 14-ën.

19 minuta më pas është sërish belgu që shënon, por kësaj radhe falë gafës së pabesueshme të Meret, të cilit i rrëshket topi nga duart. Megjithatë Napoli do reagojë dhe në të 39-ën, Milik rikthen të kaltërit në lojë.

Në pjesën e dytë Napoli këmbëngul më shumë për barazimin, por një tjetër gafë në mbrojtje, kësaj radhe e Manolas, i jep mundësinë Lautaros t’i vendosë kapak ndeshjes dhe të kapë Juventusin në krye, me dy skuadrat që do vijojnë bashkëjetesën, tashmë në kuotën e 45 pikëve.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: