TIRANE- Zbardhet kontrata koncesionare për parkimet në 25 rrugë të qytetit të Vlorës. Kontrata mbahej prej muajsh e fshehur nga Bashkia e Vlorës, duke lënë pa informacion 23 mijë drejtues automjetesh të këtij qyteti, shkruan Investigimi.al. Këshilltarët bashkiak të majtë dhe të djathtë mohojnë ta kenë votuar kontratën ndërsa hedhin akuza për falsifikim. Nëse anulohet koncesioni, Bashkia e Vlorës duhet t’i paguajë kompanisë fituese një penalitet prej rreth 2.2 milionë euro.

Për shkelje të kushteve të dhënies me koncesion flet edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit pas auditit të bërë në mars 2015, ku rezultoi se në kontratë parashikohet dhënia me pagesë edhe gjatë ditës së shtunë të parkimit në Vlorë për vetëm 13 rrugë, por komisioni këtë nuk e kishte parashikuar megjithëse kontrata i ka të përcaktuara dhe rrugët edhe oraret. Por vetëm në këtë pikë, sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, i shkaktohet dëm buxhetit të bashkisë 218 milionë lekë (të reja) për periudhën 10-vjeçare të koncesionit pasi këto para përvetësohen nga kompania vetëm nga mosllogaritja e ditës së shtunë nga komisioni i bashkisë për koncesionin.

Kontrata është favorizuese për kompaninë nisur nga termat e referencës pasi flet edhe për angazhimin e Policisë Bashkiake në zbatim të projektit nëse do të ketë problematikë në terren. Ky koncesion dhe kjo kontratë kanë lënë pas mjaft hije dyshimi. Por me një procedurë të dyshimtë dhe jo të qartë kjo kontratë koncesionare ka kaluar edhe në Këshillin Bashkiak të Vlorës. Investigim.al ka siguruar procesverbalin e mbajtur me shkrim dore në mbledhjen e këshillit bashkiak ku u votua për këtë koncesion. Njëri prej këshilltarëve të së majtës, Armand Lagji, deklaroi për investigim.al se nuk është e vërtetë se ky koncesion është miratuar unanimisht. Ai thotë se vetë nuk ka votuar pro dhe e ka kundërshtuar këtë koncesion në dëm të qytetit dhe qytetarëve. “E vërteta është që nuk ka pasur një votim të mirëfilltë, ka pasur tre mbledhje të këshillit bashkiak dhe është diskutuar tri herë kjo në parim. Janë votuar disa klauzola por jo kalimi i parkimeve private. Nuk ka pasur një votim të mirëfilltë që parkimet private në Vlorë të kalojnë. Unë nuk kam votuar. Në një nga seancat kam munguar. Ka pasur të majtë dhe të djathtë që kanë qenë kundër”, shprehet Armand Llagji, anëtar i Këshillit Bashkiak në siglën e “G-99”.

Një tjetër këshilltar nga radhët e opozitës, Petrit Golemaj konteston këtë proces pasi deklaron se i është kërkuar një votim në parim për të diskutuar në detaje në një moment të dytë për koncesionin 10-vjeçar. “Ne nuk kemi marrë asnjë procesverbal dhe ai e ka kaluar vetëm në parim këtë. Më vonë morëm vesh që ishte bërë një vendim dhe unë si këshilltar nuk e kam këtë vendim që ai ka bërë 24 rrugë që i ka dhënë me koncension dhe kush është fituesi. Unë kam dëgjuar KLSH-në që ka marrë ato masa që janë transmetuar. Është e filmuar se si është diskutuar në parim dhe del që ky i është dhënë koncensioni fituesit ndërkohë që fitues nuk dihet kush është. Një procesverbal të fituesit nuk e kemi, kështu që mua më vjen keq për të gjithë dhe për prefekten që e kaloi, që i vetmi njeri ligjor që duhet ta pengonte ishte ajo”, shprehet Petrit Golemaj, anëtar i Këshillit Bashkiak në siglën e PD-së.

Ajo që duhet të legjitimonte këtë proces ishte prefektja e Vlorës, Etjona Hoxha. Megjithëse ajo e ka kundërshtuar publikisht firmosjen e ligjshmërisë së koncesionit, Shoqata e Gazetarëve për Drejtësi disponon dokumentin ku firma e prefeketes vulos aprovimin për dhënien me koncesion parkimet e qytetit të Vlorës. Ndaj dhe KLSH i ka rekomanduar kryeministrit masën disiplinore vërejtje për largim nga posti i prefektes dhe largim nga shërbimi civil për sekretarin e përgjithshëm të prefekturës. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kërkuar anulimin e këtij koncesioni dhe ka parë të arsyeshme të rekomandojë që këtë shërbim mund ta ofrojë vetë bashkia ose me institucionet vartëse. Por nënkryetari i Bashkisë së Vlorës, Ardian Musta deklaron se vetë ky institucion nuk mund të kryej një shërbim të tillë pasi i mungojnë mundësitë dhe kushtet financiare, madje sipas tij ky koncesion ishte parashikuar që në vitin 2005.

Por në gjithë këtë sipërmarrje koncesionare ata që janë shmangur totalisht janë qytetarët. Të pyetur ata mohojnë të jenë konsultuar strukturat vendore me ta për marrje mendimi. Nga 25 rrugë që do të jepen me koncesion për shërbimin e parkimit ka edhe disa prej tyre që nuk plotësojnë kushtet më minimale për të qenë rrugë dhe jo më të shfrytëzohen për parkime. Investigim.al ka kontaktuar edhe me ish-kryebashkiakun Shpëtim Gjika për këtë koncesion, por ai refuzoi të komentojë mbi këtë koncesion të propozuar nga vet ai. As kryebashkiaku i ri i zgjedhur, Dritan Leli, nuk ka pranuar të kthejë një përgjigje për këtë çështje. Madje listës së refuzimeve i janë shtuar edhe deputetët e zonës Koço Kokëdhima dhe Arben Ristani.

Një prej aktivistëve të shoqërisë civile që protestoi kundër këtij koncesioni ishte Sazan Guri. Për të ka një bashkërendim mes Bashkisë dhe Prefekturës në dëm të qytetarëve pasi në këtë sipërmarrje fiton koncesionari dhe një kryetar bashkie por jo qytetarët e Vlorës. “Ka shumë gjëra që diskutohen në këshill bashkiak ndërkohë që kur problemet prekin fort qytetarin këto duhet të diskutohen me grupe interesi por edhe me qytetarët sepse koncensioni që jepet për makinat është çështje që prek qytetarët e Vlorës. Në këtë drejtim, mendoj se është shkelur e drejta e informimit dhe përfshirjes së qytetarëve në vendimmarrje e cila mund të quhet e gabuar. A ka shkelje në dhënien e ketij koncesioni ? Mendoj se ka shkelje në dhënien e këtij koncesioni. Jo të gjitha gjërat kryen me koncesion. Kur kemi të bëjmë me tender koncesionar që nuk është e nevojshme përfiton vetëm një kompani dhe humbet qytetari”, shprehet Sazan Guri.

Kontrata e favorshme me 36 nene e ka të parashikuar edhe ndërprerjen e kontratës nga ana e qeverisë apo edhe bashkisë por me kushte penalizuese të rënda. Në nenin 21 të kontratës parashikohet edhe ndërprerja për shkak të interest publik nga bashkia, por aty specifikohet se koncesionari duhet të dëmshpërblehet për investimet e kryera apo palët e treta nënkontraktore. Ndërsa në nenin 29 të kësaj kontrate parashikohet edhe kompensimi që bashkia duhet t’i bëjë koncesionarit për periudhën e mbetur të koncesionit referuar të ardhurave sipas planit të biznesit, plus penalitet 10% të kësaj shume. Në një shifër të përafërt nëse kompanisë do t’i anulohet kontrata e koncesionit, e cila sipas deklarimeve publike me gjasë do të ndodhë, kompanisë do duhet t’i paguajë buxhetit të Bashkisë së Vlorës rreth 2.2 milionë euro kompensim dëmi. E gjithë kjo shumë do të paguhet nga taksapaguesit vlonjatë. Në rast mosmarrëveshje për zgjidhjen e kontratës, kompania i drejtohet gjykatës së arbitrazhit të Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë në Paris.

Në fund “investigim.al” ngre disa pikëpyetje për gjithë historinë e dyshimtë të koncesionit të parkimit në qytetin e Vlorës: Përse duhej një koncesion që sipas KLSH-së dëmton buxhetin e Bashkisë Vlorë ? Përse nuk u bë transparente kontrata mes bashksië dhe kompanisë ? Përse u manipuluan firmat e këshilltarëve për koncesionin ? Përse nuk u konsultua me publikun ky koncesion ? A ishte ky një monopol që u parashikua për 10 vite dhe u firmos për 15 ? Komisioni i bashkisë për koncesionin gaboi apo nuk deshi të parashikonte pagesën e parkimit për ditën e shtunë ? Si mundet që prefektja ligjëron një vendimmarrje të dyshimtë dhe me shkelje ligjore ? Do të mundet vallë të paguajë buxheti me taksat e qytetarëve penalitetet ndërkombëtare nëse anulohet koncesioni ? A duhet dikush të mbajë dikush përgjegjësi për këtë aferë të nxituar dhe me shkelje ligjore?

Gjashtë muaj pas dhënies me koncesion të shërbimit të parkimit nga Bashkia e Vlorës për 25 rrugë, Shoqata e Gazetarëve për Drejtësi siguron ekskluzivisht kontratën e nënshkruar mes Bashkisë dhe kompanisë së vetme në konkurim. Në të parashikohen kushtet e kontratës, shkeljet, përfitimet, penalitetet dhe detyrimet e kompanisë fituese. Kjo kompani koncesionare krijoi bashkimin e përkohshëm të dy kompanive të regjistruara në Delaëere të SHBA dhe Rosh Pina të Izraelit dhe specifikisht “Tis Holdin LLC” dhe “On Track Innovations LTD”. Kontrata e nënshkruar mban datën 6 shkurt 2015 dhe ka numrin e protokollit 496. Nënshkrimi i saj erdhi pas miratimit të këshillit bashkiak më 11 dhjetor 2014 dhe firmosjes me pas të ligjshmërisë së këtij vendimi nga prefektja e Vlorës, Etjona Hoxha.

Kontrata parashikon që kompania koncesionare të menaxhojë për 15 vitet në vijim (180 muaj) 25 rrugë të qytetit të Vlorës ku çdo qytetar që ka një makinë do duhet të paguajë 50 lekë për çdo orë parkimi. Vetë Bashkia e Vlorës do të përfitojë për dy vitet e para 10 milionë lekë në vit, ndërsa në vitin e tretë të koncesionit kësaj vlere prej 10 milionë do t’i shtohej edhe 2% e xhiros vjetore të kompanisë për çdo vit në vijim. Komisioni i dhënies me koncesion i Bashkisë së Vlorës ka bërë edhe planifikimin për shfrytëzimin e vendparkimeve për periudhën 10-vjeçare, por në finalizim kjo kontratë ka tejkaluar edhe parashikimet duke u nënshkruar për 15 vite.

Nga Endrit Habilaj dhe Mariglen Mërtiri

(b.e/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb