Kryeministri Edi Rama ka vizituar një familje në Tiranë, e cila është prekur nga tërmeti.

Rama tha se qeveria e bashkia nuk duhet të nxitojnë, sidomos me pallatet. Edi Rama vlerësoi se inxhinierët do të japin mendimin final e qeveria më pas do të veprojë.

Nuk duhet të nxitojmë, sidomos me godinat me shumë banesa, pra pallatet, duhet një vlerësim inxhinierik. Duhet marrë mendimi i grupit të inxhinierëve, që ia vlen apo jo. Sepse përndryshe nxjerrim sytë për të vendosur veshët. Bashkitë kanë bërë vlerësimin paraprak, tani duhet vlerësimi final.

Vlerësimi do të nxjerrë nëse pallati duhet prishur apo duhet të qëndrojë. Ta shikojmë si do të dalë pallati, që të jemi në rregull. Fatmirësisht Tirana është mirë, ndërsa probleme kemi pasur më tepër në zonën e Krujës dhe të Kurbinit”, tha Rama.

Kreu i Bashkisë u shpreh se falë bonusit të qirasë, familjet e prekura nga tërmeti nuk kanë ndryshuar as ekosistemin ku jetojnë. “E mira e kësaj gjëje është se të gjithë vazhdojnë jetën normalisht. Gruaja shkon në punë, djali në kopësht. Ekosistemi i jetës normale nuk ka lëvizur. Edhe ne kjo gjë na jep një komoditet, që mos i bëjmë me ngut këto ndërtesat e reja. Dhe kemi gjithë kohën e nevojshme për t’i thënë inxhinierëve kryeni këto testet e betonit, të hekurit, që pastaj të marrim një vendim dhe mos t’i bëjmë gjërat me ngut”, deklaroi Veliaj.

Ndërkaq, një lajm i mirë është edhe për djalin e shtëpisë, i cili është i papunë. Kryebashkiaku Veliaj siguroi punësimin e tij në flotën e re prej 300 taksish elektrike që do të qarkullojë në kryeqytet. “Sapo kemi marrë një aplikim në Tiranë për 300 taksi elektrike, ata janë duke propozuar 300 shoferë për taksi elektrike. Pas vendimit që morët ju në fund të vitit që e bëtë taksën zero për mjetet elektrike që janë me zero ndotje është shtuar shumë interesi edhe për autobusë, edhe për taksi”, tha Veliaj. Në këtë mënyrë, familja Luli ka jo vetëm një strehë të ngrohtë gjer në sistemimin e tyre përfundimtar në një banesë të re, por edhe të ardhura shtesë.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb