Kombëtarja shqiptare e futbollit U­19 është mundur në ndeshjen e hapjes të grupit të eliminatoreve të Europianit të kësaj grupmoshe, i cili po zhvillohet në vendin tonë. Kuqezinjtë e drejtuar nga Arjan Bellai janë mposhtur me rezultatin minimal 1­0 nga Irlanda, falë një episodi më se të evitueshëm në pjesën e parë të ndeshjes.

Edhe pse kombëtarja irlandeze po dominonte në lojën e saj, kuqezinjtë nuk i kishin lënë shumë mundësi shënimi rivalëve në grup. Por kur regjistrohej minuta e 43-­të, Doksani shkaktoi penallti dhe nga pika e bardhë, Ronan dërgoi topin në rrjetë, edhe pse portieri Selmani arriti të devijonte sferën. Në pjesën e dytë, irlandezët u treguan më të qartë, kurse ndërrimet e trajnerit Bellai nuk dhanë frytet e veta në kërkim të barazimit, sepse loja ishte thuajse gjithmonë vetëm me topa të gjatë drejt sulmuesit të vetëm. Ndaj kuqezinjtë u desh të dorëzoheshin në këtë duel të parë që gjithsesi komplikon shumë ëndrrën e tyre të kualifikimit të turin tjetër. Rivali i radhës i Shqipërisë është Gjermania, me të cilën ndeshen të shtunën, ndërsa të martën do të luajnë ndeshjen e fundit në grup ndaj Gjibraltarit.
(Panorama)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb