NGA ELDA MENGA

Ish-presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu jep eksperiencën e tij se si mund të kalohet kriza politike.
Në një intervistë për “News24” e “BalkanWeb”, Moisiu thekson se roli kushtetues i Presidentit te Republikës duhet të jetë më i fortë në çaste krizash, duke treguar edhe se si mbylli krerët e politikës në janarin e vitit 2007 derisa u arrit kapërcimi i ngërçit politik pa qenë i nevojshëm angazhimi i ndërkombëtarëve.

“Ne duhet të kemi ‘kryeplak’ i cili ndan davanë dhe për fat të keq ky duhet të jetë Kryetari i Shtetit. Jo se partnerët tanë ndërkombëtarë nuk kanë dëshirë dhe nuk e ndjejnë përgjegjësinë për të negociuar, por ne këto gjëra duhet t’i zgjidhim vetë. Politika shqiptare është e vështirë. Besoj se e mbani mend janarin e vitit 2007 kur unë u detyrova dhe mblodha në Presidencë politikanët ku i mbajta për 48 orë me pica dhe çaj derisa u ra dakord për ta zgjidhur krizën”, rrëfen Moisiu, raporton “BalkanWeb”.

Përsa i përket mosdekretimit të 4 ministrave të rinj nga Presidenti Nishani, Moisiu thekson se kjo është e drejtë e tij, një praktikë që e ka ndjekur edhe ai vetë, si me Nanon ashtu edhe me Berishën.

“Kam biseduar me Kryeministrat kur kam pasur vërejtje për ministrat. Qoftë me Berishën, qoftë me Nanon dhe mendoj se i kanë marrë parasysh. Sigurisht, përgjegjësia politike është e Kryeministrit, nuk është e Presidentit”, theksoi Moisiu.

Lidhur me fuqinë e presidentit në çaste krizash, Moisiu thekson se duhet të ndryshohet formula e zgjedhjes së Kryetarit të Shtetit në mënyrë që të zgjidhet nga populli gjë që do i jepte atij më shumë autoritet në ndërmjetësimin e palëve.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb