DURRËS- Taksisti Bujar Agalliu mbrëmjen e djeshme rreth orës 23:00 është nisur nga lagjja nr:3 e qytetit të Durrësit pa e ditur që do të bënte rrugën e fundit të jetës, me taksinë që do t’i sillte vdekjen jo vetëm atij, por edhe 23-vjeçares Elena Avdillari, pasagjere.

Në vendin ku Buajri u nis një ditë më parë qëndrojnë sot të shokuar kolegët e tij. Ata nuk dinë të fajësojnë tjetër veçse autostradës Tiranë-Durrës, e amortizuar së tepërmi.

Gazetarja Klodjana Haxhiaj ka mundur të sigurojë për “BalkanWeb” dëshmitë e kolegëve, pamje të vendit nga ku u nis taksia dhe si përfundoi itinerari i saj në Maminas, rreth 200 metra larg rreth-rrotullimit.
vendi ku u nisen

sheshi ne durres
Ndërsa paraprakisht thuhet që taksia u godit nga pas prej një makine luksoze, një “Benz” me targë AA 060 SP, që drejtohej nga tropojani Fatjon Zhaporja, mbetet ende mister, nëse aksidenti ka qënë i qëllimshëm, apo i rastësishëm. Dyshimet i shton më shumë fakti që drejtuesi i mjetit luksoz që udhëtonte me shpejtësi rreth 200 km/orë, pas aksidentit është zhdukur.

Pritet që arrestimi i tij të zbardhë më shumë detaje për përplasjen e frikshme dhe fluturimin e taksisë mbi 200 metra në ajër, nga njëri cep i karburantit, në tjetrin.

Gazetarja Klodjana Haxhiaj bisedoi fillimisht me kolegët e taksistit, e më pas me punonjësin e karburantit në Maminas, aty ku kishin mbetur gjurmët e aksidentit.
karburanti 3

karburanti 4

karburanti 5
Në hyrje të karburantit gjurmët e përplasjes së taksisë, fillimisht me bordurën e lulishtes, e më pas me tabelën, për të përfunduar në anën tjetër të karburantit janë ende të freskëta.
Aty gjen ende një pasqyrë të thërrmuar, shishe me ujë, dhe këpucët si të taksistit ashtu edhe të pasagjeres, vajzës së re që kishte në çantë edhe një biletë trageti drejt Barit të Italisë.

Përveç pikëpyetjeve të aksidentit, të tjera ngrihen mbi arsyet pse vajza e re nuk ishte nisur në orarin e përcaktuar në biletë drejt Italisë, por kishte zgjedhur të kthehej drejt Tiranës me një taksi.

DËSHMITË

Taksisti 1

E njihnit Buajrin?
Po e njihnim, e kemi pasur koleg, kemi super probleme me rrugën Durrës-Tiranë. Sidomos krahu i djathtë, korsia është shumë e amortizuar. Ka shumë gropa, prandaj është shumë e rrezikshme. Duhet të vënë dorë patjetër

Ju ku e mësuat lajmin e aksidentit?
Po në televizor e kemi mësuar, na vjen shumë keq, koleg, ç’të them..

Taksisti 2

Një kolegu juaj ka humbur jetën një natë më parë e mësuat?
E mora vesh nëpërmjet mediave, rrugët janë bërë skandal, dëmtohet kamioni jo vetura. Këto gjëra influencojnë tek aksidentet dhe humbjet e jetëve

E njihnit personalisht Bujarin?
Po e njihnim, ishte një njeri shumë i qetë. Shofer i vjetër me përvojë. Unë them se jo vetëm amortizimi, por edhe mungesa e sinjalistikës së rrugëve.

Sa të sigurt janë shoferët, pasagjerët që ecin aty?
Të na ruajë Zoti, Sepse s’ke siguri fare, Duke iu shmangur gropës mund të përplasesh me makinën tjetër. Jo të gjithë kanë përvojën e duhur, garanci. Edhe këto aksidentet me pasojë humbje jetë

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb