Jahmir Hykës nuk i është dashur shumë kohë për të treguar vlerat e tij në fushën e lojës për San Hoze. Mesfushori i cili iu bashkua skuadrës amerikane vetëm javën e kaluar, ka shënuar golin e tij të parë me fanellën me numrin 10, në miqësoren e fituar me rezultatin 4­1 ndaj Sakramento FC.

Mesfushori u aktivizua në fillimin e pjesës së dytë dhe përveç aksioneve të shpejta që krijoi për shokët e ekipit, ai tregoi edhe qetësinë para portës kundërshtare në minutën e 79­të duke finalizuar me saktësi.

“Duket që përshtatet shumë mirë me mjediset e reja. Edhe në Europë ka arritur të lërë shenjë”, tha administratori i San Hoze, Xhesi Fiornaneli në një konferencë për shtyp të organizuar për mesfushorin e talentuar dhe prezantimin e tij para mediave. Hyka, i ka idetë shumë të qarta mbi atë që kërkon në SHBA dhe çfarë ka si synim të bëjë. “Është shumë e rëndësishme që të tregoj se si janë futbollistët shqiptarë. Por si fillim, dua që të ndihmoj San Hoze”, tha ai para gazetarëve. “Futbolli shqiptar po rritet ashtu si futbolli në Amerikë. Vitin e kaluar ne arritëm kualifikueset e Europianit. Do të paraqitemi edhe më mirë, pasi shumë lojtarë të talentuar shkojnë në Europë apo edhe në MLS. Është pak a shumë si futbolli ballkanik në Serbi, Greqi apo Turqi. Edhe si futbolli italian. Kultura jonë është italiane”, deklaroi ai. Te ekipi i ri, Hykës i është besuar fanella me numrin 10, por për lojtarin është diçka e këndshme, ndonëse jo aq domethënëse sa mund të mendojnë disa. “Numri nuk është i rëndësishëm, është si një mit, por diçka mjaft e lezetshme për mua. Nuk është ndonjë gjë shumë e veçantë”, shpjegoi Hyka për impaktin e parë që kishte në skuadrën e re.

“Përshtypja e parë ishte shumë e rëndësishme për mua, ishin të gjithë mjaft të këndshëm dhe cilësia është mjaft e mirë. Isha pak i çuditur pasi cilësia është shumë e lartë. Tani më duhet t’i përshtatem skuadrës. Kam luajtur në shumë skuadra në Europë, ndaj do t’i sjell pak nga eksperienca ime edhe këtij ekipi”. Nuk mund të mungonin edhe pyetjet rreth faktit që një mysliman kishte udhëtuar drejt SHBA, ku situata është bërë disi konfuze që pas zgjedhjes së Donald Tramp si president. “Nuk kam pasur asnjëherë ndonjë problem rreth kësaj çështje pasi e di që Amerika është një vend i hapur për të gjithë. Nuk ka rëndësi nëse je mysliman, katolik apo çifut, e dija që në fillim që nuk do të kishte probleme të tilla”, tha Hyka./panorama

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: